Marrëveshje në Mekë - brohoritje në Rripin e Gazës | Politika | DW | 09.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Marrëveshje në Mekë - brohoritje në Rripin e Gazës

Palestinezët bien dakord për formimin e qeverisë së unitetit kombëtar. Më parë të dyja palët kishin rënë dakord për shpërndarjen e posteve ministrore

Fatahu dhe Hamasi në Mekë

Fatahu dhe Hamasi në Mekë

Ujdia u arrit parimisht, por ende nuk janë sqaruar detajet. Fraksionet palestineze rivalizuese, Hamas dhe Fatah kanë rënë dakord në Mekë, që të krijojnë një qeveri të përbashkët. Ata nënshkruan ditën e enjte në mbrëmje marrëveshjen përkatëse, në prani të mbretit saudit, Abdullah.

Në krye të qeverisë së re do të jetë sërish kryeministri aktual, Ismail Hanija. Përveç kësaj Hamasi do të marrë shtatë poste ministrore, ndërsa Fatahu gjashtë. Pesë ministri do të drejtohen nga ekspertë dhe politikanë të pavarur.

E rëndësishme është që u arrit ujdia edhe për dy poste të rëndësishme: sipas informacioneve të qarqeve të delegacionit, deputeti i pavarur, Ziad Abu Amr do të jetë ministri i jashtëm palestinez, ndërsa Salam Fayad, ish-ministri i financave me reputacion ndërkombëtar do të marrë sërish postin e financave.

E paqartë është se kush do ta drejtojë ministrinë e brendshme. Përpjekjet e mëparshme për krijimin e qeverisë së unitetit kanë dështuar pikërisht në këtë pikë. Tani u ra dakord që Hamasi do të propozojë një kandidat të pavarur, të cilin do ta miratojë presidenti Abaz.

Abazi i kërkoi qeverisë së re të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me Izraelin. Sekretari i përgjithshëm i Hamasit, Khaled Maschal siguroi që Hamasi nuk do të shkelë marrëveshjen për krijimin e qeverisë së unitetit. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të njohë qeverinë e re palestineze.

Kuarteti i Lindjes së Mesme vetëm para pak kohësh riforcoi qëndrimin e tij se, embargoja kundër autoritetit palestinez do të zgjasë për sa kohë që qeveria nuk njeh të drejtën e ekzistencës së Izraelit. Kusht tjetër është heqja dorë nga dhuna dhe respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

Në Rripin e Gazës, marrëveshja u prit me brohoritje dhe të shtëna gëzimi. Palestinezët shpresojnë që formimi i qeverisë së re, i jep fund dhunës në rajonet palestineze. Muajt e fundit dhuna që shpërtheu mes dy grupeve rivale i kushtoi jetën shumë njerëzve dhe shkaktoi qindra të plagosur.

Në Izrael u ndoqën me vëmendje negociatat në Mekë. Ministrja e jashtme, Tzipi Livni që aktualisht po viziton Evropën tha në Madrid se nuk do të bëhet pazar me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj paletinezëve. Ndërsa paraardhësi i saj, politikani i partisë likude, Silvan Shalom, e cilësoi marrëveshjen e arritur si shumë të rrezikshme për Izraelin. Për radion izraelite ai tha se i trembet faktit që embargoja e rreptë ndaj palastinezëve mund të fillojë të zbutet.

  • Data 09.02.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqmz
  • Data 09.02.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqmz