1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje me klauzola - BE-ja ndryshon procedurat e anëtarësimit për Bullgarinë dhe Rumaninë

Bernd Riegert25 Prill 2005

Një vit pas raundit të zgjerimit të BE-së drejt lindjes anëtarësimi i dy vendeve të tjera evropiano-lindore Rumanisë dhe Bulgarisë po bëhet gjithnjë e më konkret. MPJ të BE-së dhe përfaqësuesit e këtyre dy vendeve nënshkruan në Luksemburg marrëveshjet në bazë të së cilave Rumania dhe Bullgaria pritet të anëtarësohen në BE duke filluar nga 1 janari 2007. Megjithatë Brukseli ka ende shumë rezerva sidomos për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, fenomene këto të pranishme në të dy vendet.

https://p.dw.com/p/ArEc
Bullgaria feston nënshkrimin e marrëveshjes së anëtarësimit në BE
Bullgaria feston nënshkrimin e marrëveshjes së anëtarësimit në BEFotografi: dpa

Nënshkrimi i marrëveshjes shënon për Bullgarinë dhe Rumaninë realizimin e një ëndërre të vjetër. Pas disa dhjetëvjeçarësh diktaturë komuniste dhe 15 vjetëve procesi demokratizimi më në fund arritën në Evropë.

BE-ja nuk kishte alternativë tjetër edhe pse integrimi i këtyre dy vendeve relativisht të varfëra do të thotë një sfidë e madhe. Në rast se gjykimi do të ishte bërë vetëm sipas këndvështrimit ekonomik apo teknik, atëhere do të duhej të thuhej se këto dy vende nuk e kanë arritur pjekurinë e nevojshme për anëtarësim. Po në radhë të parë bëhet fjalë për një sinjal politik në drejtim të Bullgarisë dhe të Rumanisë, që rruga që ndoqën ato me gjithë vështirësitë, ishte vlefshme, dhe se janë të mirëpritura në BE.

Nënshkrimi i marrëveshjes pritet të shërbejë si nxitje për Sofien dhe Bukureshtin për t'i vënë në jetë me konsekuencë reformat dhe për ta luftuar ashpër korrupsionin. Në rast se anëtarësimi i këtyre vendeve që është shtyrë një herë për tre vjet do të shtyhej edhe më tej rreth 30 milionë banorët e këtyre vendeve do të ishin zhgënjyer shumë dhe qeveritë do të kishin probleme.

Problemet e vëna re atëhere nuk është se janë mënjanuar sot dhe për këtë si komisari i zgjerimit të BE-së edhe Parlamenti i Evropës i lëshuan me shumë rezerva certifikatat për anëtarësimin e Rumanisë dhe të Bullgarisë në BE. Për të dyja vendet vazhdon të jetë problem masiv korrupsioni. Po ashtu edhe reformat e ndërmarra në fushën e drejtësisë duhet të tregojnë fryte. Për këtë është mirë që BE përfshiu për herë të parë në marrëveshjet për anëtarësimin një klauzolë, sipas së cilës anëtarësimi i këtyre vendeve mund të shtyhet edhe një vit, në rast se Komisioni i BE-së nuk do të vërejë përparime.

Anëtarësimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë do t'i kushtojë shumë Evropës. Rreth 40 miliardë euro pritet të shpenzojë BE-ja dhjetëvjeçarin e ardhshëm për integrimin e këtyre vendeve.

Me kushtet e vëna në marrëveshjet për anëtarësimin e Rumanisë dhe të Bullgarisë BE-ja synon të dërgojë edhe një mesazh drejt vendeve të tjera të Ballkanit si dhe Turqisë. Mesazhi është që në të ardhmen premtimet nga Brukseli nuk do të jenë kaq bujare dhe se gjykimet se sa të afta janë vendet për t'u anëtarësuar do të jenë më të përpikta. Në të ardhmen pra pengesat që duhet të kapërcejnë vendet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE do të jenë më të larta dhe më të shumta, sepse BE-së i ka ikur qejfi i zgjerimit.