200410 IWF Stability Report
21 Prill 2010Për herë të parë pas tri vjetësh raporti i FMN-së për stabilitetin global nuk i ngjan më një skenari katastrofe. Rritja ekonomike mbarëbotërore i ka reduktuar ndjeshëm rreziqet për stablitetin global, sqaron Jose Vinals, përgjegjës për vëzhgimin e tregjeve të parave dhe të kapitalit pranë FMN-së.
"Në raportin tonë të fundit themi se rreziqet për stabilitetin e tregjeve financiare janë pakësuar." - shprehet Jose Vinals
Kësaj here FMN-ja ka nën vëshgim të fortë mënyrën se si dhe përse i shpenzojnë paratë vendet ndryshme: "Për momentin na shqetëson rritja e malit të borxheve shtetërore, që është një problem që e kemi në vëzhgim dhe që duhet zgjidhur.“
Për këtë FMN-ja ka kërkuar prej të gjitha qeverive që të përpilojnë plane të besueshme për të përmirësuar gjendjen e buxhetit të shtetit. Në rast të kundërt koniuntura do të gjendej sërish përpara rreziqesh, thotë Jose Vinals: "Shpërthimi i kredive që merr shteti dhe oferta e ulët për të dhënë kredi, mund të çojë në rritjen e përqindjes së interesit apo në rënien e kredive për privatët“.
Kjo mund të çojë në një krizë tjetër finaciare dhe ekonomike paralajmëron FMN-ja, e cila konstaton gjithashtu se prej krizës financiare humbjet e bankave nuk kanë qenë edhe aq të mëdha sa mendohej: "Sipas përllogaritjeve tona ato kanë qenë rreth 500 miliardë dollarë më pak nga sa mendohej, pra në vend të 2800 miliardë dollarë në 2300 miliardë.“
Edhe pse bankat i kanë eliminuar shumë letra tashmë pa vlerë, në thesaret e tyre ato vazhdojnë të kenë letra pa vlerë që do të kishin një vlerë prej rreth 800 miliardë dollarë.
Nga e gjithë bota po vijnë propozime për përpilimin nga FMN-ja të një rregulloje të re, e cila do të pengonte krizat në tregjet financiare. E rëndësishme është që ajo të vihet në jetë sa më shpejt.
Greqia nuk luajti ndonjë rol në prezantimin e raportit për stabilitetin global. I pyetur nga një gazetar për këtë problem Jose Vinals tha se FMN-ja po e ndihmon Greqinë për të marrë kredi të tjera dhe se "ka besim të plotë se ky vend është në rrugë të drejtë."
Gjithësesi në konferencën e pranverës e FMN-së dhe BB, e cila vazhdon deri të hënën, kjo nuk do të jetë hera e vetme dhe e fundit që flitet për Greqinë.
Autor: Rüdiger Paulert/ Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama