Më shumë se kondome - Autori Seewald prezanton librin e tij për Papën
24 Nëntor 2010Ishte vetë Vatikani që u ra me kohë daulleve të reklamës. Të shtunën e kaluar (20.11.) gazeta e Vatikanit "Osservatore Romano" publikoi paraprakisht paragrafin më të ndjeshëm të këtij libri, duke i dhuruar kështu gazetarit Peter Seewald një sallë të mbushur me gazetarë kureshtarë, të cilët ishin të interesuar kryesisht për një temë: Papa dhe kondomët. Kjo nuk i pëlqeu autorit të librit:
"Në pjesën më të madhe të librit bëhet fjalë për krizën e Kishës, por edhe për krizën e shoqërisë, dhe kjo krizë e shoqërisë, siç e dimë të gjithë nuk është e vogël. Dhe gjysma e botës së gazetarëve shqetësohet dhe diskuton për çështjen e kondomëve."
Privilegj i rrallë - Papa në bisedë direkte
Por në këtë mes pjesa e Peter Seewaldit nuk është e vogël: ai i ka drejtuar Papës këtë dhe pyetje të tjera. Një privilegj i rrallë, gjashtë orë intervistë me Papën. Pyetjet dhe përgjigjet nuk u censuruan:
"Unë nuk jam kronist i Vatikanit. Jam përpjekur të bëj ato pyetje të cilat shqetësojnë sot opinionin publik, që i interesojnë atij dhe për të cilat duhet të marrë përgjigje."
Kështu nga biseda mësohet direkt se çfarë mendon Papa dhe para së gjithash çfarë ka menduar, p.sh. në kohën e krizës së rëndë që përfshiu Kishën për shkak të skandalit me abuzimet seksuale. "A keni menduar dorëheqjen si opsion?" kërkon të dijë Seewald. "Jo", thotë Papa, "në rrezik bariu nuk e lë vetëm kopenë".
Papa thyen tabutë
Por në përgjithësi sipas Benediktit - citat - "kur një Papë nuk është më në gjendje fizikisht, psiqikisht dhe shpirtërisht të përballojë detyrat e postit, ai mundet dhe duhet të japë dorëheqjen." Një gjë të tillë eksperti i Vatikanit Sandro Magister nuk e ka dëgjuar kurrë nga ndonjë papë:
"Edhe këtu Papa thyen një tabu. Papët e 100 viteve të fundit kanë menduar vërtet për dorëheqje, por kurrë nuk kanë folur publikisht për këtë."
Joseph Ratzinger flet hapur dhe pa zbukurime edhe për krizat e tij dhe zhgënjimet: në Gjermaninë katolike ekziston një shtresë e konsiderueshme e cila - citat - "si të thuash pret që të mund të vërë në shënjestër të kritikave Papën". Kështu shprehet Papa kur pyetet për kritikat nga Gjermania në skandalin Williamson, ripranimin në gjirin e Kishës të ipeshkvit anglez mohues të Holokaustit.
Vetëm mendimi personal i Papës?
Seewald dhe bashkëbiseduesi i tij Benedikt, e habisin vazhdimisht lexuesin, natyrisht para së gjithash me këtë thënie: në raste të caktuara Papa aprovon përdorimin e kondomëve, kur është fjala për të zvogëluar rrezikun e infektimit me HIV. Për arqipeshkvin Rino Fisichella, presidentin e Këshillit Papnor për promovimin e evangjelizmit të ri, bëhet fjalë vetëm për një shprehje të mendimit të Papës:
"Ky libër është një intervistë dhe jo një akt magjisterial", - thotë Fisichella dhe tërheq vëmendjen se seksualiteti sipas katekizmit katolik është i lidhur me dhënien e jetës.
Pas fjalëve të Papës në bisedë me gazetarin Peter Seewald, kjo thënie tingëllon si një përshëndetje nga kisha e vjetër katolike.
Autor: Tilmann Kleinjung / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti