Libia vendos të eleminojë të gjitha armët e shkatërrimit në masë | Politika | DW | 20.12.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Libia vendos të eleminojë të gjitha armët e shkatërrimit në masë

Peter Steffe/ Kairo Republika Popullore e Libisë ka vendosur që të eleminojë të gjitha armët e shkatërrimit në masë, të cilat ndalohen në bazë të konventave ndërkombëtare. Ministri i jashtëm i Libisë, Abdulrahman Mohamed Shalgam theksoi përballë kanalit televiziv arab El Arabia në këtë kuadër se vendi i tij do të lejojë kontrolle të pakufizuara të laboratorëve nga ekspertë ndërkombëtarë. Agjencia libiane e lajmeve JANA citon udhëheqësin e revolucionit, Muamar al Gadafi me fjalët se është një mendim i mencur dhe një hap i guximshëm i vendit të tij, për ta ndërprerë programin për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe për të krijuar kështu një botë pa armë të shkatërrimit në masë dhe terrorizëm. Me këtë Libia pranon për herë të parë zyrtarisht se ka punuar për programe të tilla. SHBA e akuzuan disa herë në të kaluarën Gadafin se do të prodhojë armë të shkatërrimit në masë. Të dhëna të shërbimeve të fshehta të viteve 90 konfirmojnë se Libia ka të paktën dy qendra prodhimi të armëve kimike. Që prej fillimit të viteve 90, SHBA kanë vendosur ndër të tjera për shkak të këtyre programeve të armëve reduktime të tregtisë me Libinë, kufizime që e kanë cuar Libinë në prag të katastrofës ekonomike. Për cdo vit dhe firmë, në Libi nuk lejohej të futeshin më shumë se 20 milionë dollarë. Ky kufizim i investimeve është kontrolluar në të kaluarën shumë me rreptësi nga qeveria amerikane, duke i kërcënuar me sanksione ato firma ose shtete që i shkelnin këto përcaktime. Pasi Libia mori përsipër në gusht përgjegjësinë për atentatin në Lokerbi dhe shprehu gatishmërinë për t'u paguar 2,7 milionë dollarë të afërmve të viktimave, u hoqën edhe sanksionet e OKB-së, të vendosura që prej 11 vjetësh. Me vendimin e tanishëm Gadafi shpreson se edhe administrata e Bushit do t'i heqë kufizimet tregtare ndaj vendit të tij. Nëse llogaria e Gadafit do të ecë, në Libi pritet të shkojnë investitorë të ndryshëm. Këto firma presin biznese të leverdisshme, jo vetëm në sektorin e petrokimisë, por edhe në ndërtimin e turizmit. Hapi i Gadafit ka si synim që vendi i tij të hiqet nga lista e të ashtuquajturve "shtete gangstere". Në këtë listë, të cilën e ka administrata e Bushit, Libia është në vendet e para.
  • Data 20.12.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqvw
  • Data 20.12.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqvw