Liberalizimi i vizave - Opozita shqiptare kritikon qeverinë për mosmbushjen e kritereve
16 Korrik 2009Qytetarët shqiptarë nuk përfituan nga liberalizimi i vizave për shkak të keqqeverisjes së vendit. Ky ishte në thelb prononcimi i PS-së në opozitë për vendimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Për Ditmir Bushatin, eksponent në PS, tashmë është "thelluar hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit". Ai tha se mosfutja e Shqipërisë në rradhën e vendeve të rajonit që do të përfitojnë nga liberalizimi nuk është bërë thjesht për mungesën e parasportave biometrike. Sipas tij argument tjetër ishte dhe zgjedhjet pa standarte.
"Qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standarteve që kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve", tha Bushati. Ai përmendi dhe dështimin në mbrojtjen e lirive të njeriut, klimën konfliktuale të qeverisë ndaj agjensive të zbatimit të ligjit si edhe korrupsionin.
Por i menjëhershmë ka qënë dhe reagimi i PD-së. Zëdhënësja e kësaj partie Erla Mëhilli, i përshkroi deklaratat e selisë rozë si "justifikime të dëshpëruara të lidershipit socialist për humbjen e tyre në zgjedhjet parlamentare".
Mëhilli tha se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë do të konkretizohet premtimi elektoral i liberalizimit të vizave të shqiptarëve për në vendët e BE-së.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Sonila Harasani