Leskaj: Legjislacioni i ri do tö mbrojë më shumë turistin e huaj | Ballkani | DW | 12.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Leskaj: Legjislacioni i ri do tö mbrojë më shumë turistin e huaj

Intervistë ekskluzive me ministrin shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, me rastin e konferencës së parë të Shqipërisë zyrtare në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin

Në pritje të turistëve pamje nga plazhi i Durrësit

"Në pritje të turistëve" pamje nga plazhi i Durrësit

DEUTSCHE WELLE: Ju në konferencën e shtypit përmendët atraktivitetet turistike të Shqipërisë. Mund t’i përmblidhni shkurtimisht?

BUJAR LESKAJ: Një nga qëllimet kryesore të konferencës ishte të tregohej se sa atraktive është Shqipëria për turistët e huaj. Turizmi shqiptar është atraktiv pikërisht për shkak të pasurive natyrore dhe kulturore. Një raport i zyrtar i UNESCO-s e cilëson Shqipërinë si një nga vendet më të veçanta dhe më të pasura me trashëgimi kulturore në botë. Është një vend që ngërthen bashkëjetesën paqësore në shekuj të tre besimeve fetare, atë katolik, ortodoks dhe mysliman.

DEUTSCHE WELLE: Cili është grupi i turistëve ku përqendrohet turizmi shqiptar?

BUJAR LESKAJ: Deri tani tradicionalisht ka qenë tregu i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por duhet thënë që në vitin 2006 nga 75 për qind të tregut që kapte, ky segment tashmë ka kaluar në 53 për qind. Pjesa tjetër vjen nga Evropa e Amerika. Duhet thënë që numri i turistëve në vitin 2006 është rritur me 28 për qind në krahasim me një vit më parë, dhe kjo ka efektet përkatëse makro- dhe mikroekonomike, pra jo vetëm në të gjithë ekonominë shqiptare, por edhe në ekonominë e familjeve, bizneseve të vogla, hotelierëve dhe agjencive turistike.

DEUTSCHE WELLE: Cilat janë këto efekte?

BUJAR LESKAJ: Po të flasim në gjuhën e shifrave, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2006, 69% e të ardhurave nga tregëtia e jashtme vijnë nga turizmi. Nga turistët e huaj në vitin 2006 janë inkasuar 614 milionë Euro, kjo do të thotë 19 për qind më shumë se në vitin 2005. Afro 10 për qind e popullsisë së aftë për punë është punësuar në sektorin e turizmit, ose ndryshe 138 mijë punonjës. Në listën e vendeve që premtojnë rritje në sektorin e turizmit në dhjetë vitet e ardhshme, hartuar nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve, Shqipëria ndodhet në vendin e nëntë.

DEUTSCHE WELLE: Cilat janë sfidat që duhet të kapërcejë turizmi shqiptar në vitet e ardhshme?

BUJAR LESKEJ: Detyra krysore dhe sfida e parë jona është që ta kthejmë turizmin nga pasuri potenciale në pasuri reale për Shqipërinë. Realisht në këtë një vit e gjysmë qeveria e ka orientuar politikën në dy grupe të mëdha: Investime në infrastrukturë dhe përmirësimi i standardeve turistike. Standardet jemi përpjekur t’i arrijmë duke punuar në dy fusha: së pari me anë të një bashkëpunimi cilësisht të ri me Organizatën Botërore të Turizmit, por edhe organizata të tjera që veprojnë në këtë fushë në Shqipëri, si PNUD-i, SNV-ja, GTZ-ja, Kooperacioni Italian, USAID-i nëpërmjet projektit EDEM, apo të tjera dhe së dyti nëpërmjet hartimit të një legjislacioni bashkëkohor. Ligji i ri për turizmin, që ne kaluam si qeveri më 23 janar 2007 dhe së shpejti e kalojmë në parlament, është një ligj, ku turisti gjen mbrojtjen dhe garancitë ligjore që deri tani i mungonin. Si për shembull, do të do të garantohet e drejta për t’u ankuar ose për të marrë dëmbshpërblim nga ndonjë shërbim turistik i munguar apo defektoz për faj të akomoduesit apo të operatorit turistik shqiptar etj.

DEUTSCHE WELLE: Ju përmendët edhe një masterplan të financuar nga Banka Botërore. Cili është synimi i tij?

BUJAR LESKAJ: Masterplani i zhvillimit dhe menaxhimit të integruar të bregdetit të jugut përbën një sfidë për të ardhmen e turizmit shqiptar. Kuptohet, zhvillimi i zonës së bregdetit të jugut bëhet duke pasur parasysh që mos të përsëritet përvoja negative e betonizimit të Golemit. Zona e Golemit dhe Durrësit, veç kësaj është një zonë, ku duhet të ndërhyjmë për të rehabilituar ato çka mundemi, për të mos çuar në degradimin e plotë të zonës. Ne duhet të kujdesemi që turizmi shqiptar i rërës dhe i diellit nga Velipoja në Sarandë të arrijë që me veçantitë e diversitetet e tij të presë jo vetëm shqiptarët nga Kosova e Maqedonia, por edhe turistët evropianë. Megjithatë kjo është një sfidë e të ardhmes. Por ne po pounojmë që të kemi turistë edhe në pranverë e vjeshtë, që janë të interesuar për turizmin kulturor e mjedisor, veçanërisht nga vendet e Evropës Perëndimore, që vijnë për të zhvilluar turizëm të interesit të veçantë, të llojeve, të sporteve të ndryshme etj, siç doli në pah edhe nga kërkesat e ndryshme të gazetarëve në konferencë.

DEUTSCHE WELLE: Së fundi, tri fjalë drejtuar një turisti të huaj që dëshiron të vizitojë Shqipërinë...

BUJAR LESKAJ: Do t’ju presë një popull mikpritës, ju pret një vend me një natyrë të virgjër, ju pret një vend me pasuri të shumta kulturore.

  • Data 12.03.2007
  • Autor Intervistoi Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXo
  • Data 12.03.2007
  • Autor Intervistoi Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXo
Reklamë