1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryesore pavarësimi i policisë nga politika - Simpozium rajonal në Tiranë

Arben Muka 29 Korrik 2008

Përfaqësues të policive nga vendet ballkanike diskutojnë në Tiranë mbi trajnimin dhe lidershipin në polici.

https://p.dw.com/p/ElsY
Tiranë
Policia rrugore, TiranëFotografi: DW/Cama

Një nga idetë kryesore të konferencës rajonale ka qënë dhe nevoja e pavarësimit të rolit të policisë nga çdo manipulim a përdorim nga politika, si një aspekt thelbësor në rritjen e besimit të komunitetit dhe në parandalimin e goditjen e krimit të organizuar dhe atij ordiner.


Vendet e rajonit të ballkanit kanë mjaft argumente për të prezantuar nevojën që ka bashkëpunimi mes tyre në luftën për të parandaluar dhe goditur krimin. Një aspekt me rëndësi është dhe aplikimi i standarteve në kualifikimin profesional të policisë- që ishte dhe tema kryesore e konferencës së parë ballkanike që u mbajt të martën në Tiranë me titull "Mbi trajnimin dhe lidershipin në polici".

Duke përsëritur disa herë rëndësinë që ka për një shoqëri demokratike mbajtja larg e policisë nga manipulimi dhe përdorimi politik, pjesëmarrësit në konferencë duke treguar për eksperiencat në vendet e tyre kanë tentuar që të ndërtojnë një strategji të unifikuar për trajnimin policor.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bujar Nishani, shprehet se e përbashkëta e vendeve të rajonit është aplikimi i modeleve nga vendet kryesore të BE-së dhe SHBA. "E përbashkëta është se nxisim trajinimin dhe kualifikimin që i shërben frymës së komunitetit si dhe nivelit profesional të efektivave policore", thotë Nishani.

Ndërkohë që drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit në Shqipëri, Ahmet Premci, tregoi për ndryshimet që janë bërë jo vetëm në legjislacion, por dhe në aplikimin e metodave që garantojnë punonjës të policisë më të informuar më me etikë dhe që respektojnë në çdo hap të aktivitetit të tyre liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Përfaqësuesit e vendeve donatore të programeve kualifikuese të policive theksuan më shumë nevojën e trajnimeve cilësore për të gjitha nivelet, si një masë efikase antikrim dhe antikorrupsion.