Kritikë e ShBA për drejtësinë gjermane | Gjermania | DW | 08.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kritikë e ShBA për drejtësinë gjermane

Gjykata e Lartë e landit të Hamburgut lë të lirë të dyshuarin për bashkëpunim me terroristët, Munir el Motasadek

Munir Motasadek i akuzuar për veprimtari terroriste

Munir Motasadek i akuzuar për veprimtari terroriste

Plot dy vjet pas arrestimit Munir el Motasadek i dyshuar për bashkëpunim me terroristët e 11 shtatorit është përsëri i lirë. Gjykata e Lartë e landit të Hamburgut vendosi të lërë të lirë me kusht nga paraburgimi marokanin. 30-vjeçari Motasadek ishte dënuar në shkurt të vitit të kaluar në të gjithë botën si ndihmësi i parë dhe deri tani i vetëm i atentatorëve të 11 shtatorit 2001,por Gjykata e Lartë Federale në Gjermani e shfuqizoi vendimin dhe e ktheu rastin për shqyrtim në Hamburg. Pas këtij vendimi i cili është konsideruar si një shuplakë për drejtësinë gjermane kanë ardhur dhe reagimet e para nga ShBA.

Jemi shumë të zhgënjyer! Qoftë familjet e viktimave të 11 shtatorit qoftë administrata Bush kritikuan drejtësinë gjermane dhe vendimin e saj për lënien të lirë të Munir el Motasadek. Një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme të ShBA Adam Ereli e argumentoi kështu këtë kritikë: "Ne besojmë se provat kundër tij janë mjaft të forta. Ne e konsiderojmë atë individ të rrezikshëm. Përballë akuzave të rënda ne do të kishim preferuar që Motasadek të mbetej në gjendje burgimi."

Stephen Push, zëdhënësi i viktimave të 11 shtatorit ishte edhe më i qartë. Për agjensinë e lajmeve Associated Press ai është shprehur se prokuroria gjermane sipas mendimit të tij nuk ka punuar sipas rregullave. "Unë shpresoj që kjo prokurori të bëjë punë më të mirë në një proçes të ardhshëm dhe të dërgojë përsëri prapa hekurave Motasadekun" ka thënë shprehimisht Push.

Edhe ministria amerikane e punëve të jashtme shpreson në mbajtjen e një proçesi të ri. Zëdhënësi Ereli u shpreh: "Kundër tij ka akuza mjaft të rënda. Proçesi gjyqësor vazhdon dhe janë marrë të gjitha masat që të vihet në vend drejësia."
Lirimi i të dyshuarit të vetëm në lidhje me atentatet e 11 shtatorit pasqyrohet gjerësisht nga mediet amerikane. Por reagimet zyrtare ndaj vendimeve të gjykatave të huaja janë të rralla dhe të formuluara me kujdes. Për Adam Erelin një çështje delikate diplomatike. Kritika u shoqërua me lëvdata të përgjithshme për Gjermaninë: "Bashkëpunimi me Gjermaninë vazhdon. Ne jemi të vendosur që së bashku t'u japim dënimin e merituar të gjithë terroristëve. Në përgjithësi ne jemi mirënjohës për mbështetjen gjermane në luftën kundër terrorit."

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme amerikane refuzoi të vlerësonte dëshmitë që disponohen kundër Motasadekut. I ndryshëm ishte qëndrimi i Stephen Push. Ai vazhdon të jetë i bindur për fajësinë e të paditurit dhe shpreson në dhënien e një dënimi të ashpër. Ministri amerikan i drejtësisë është shprehur për herë të fundit në muajin shkurt për proçesin kundër terroristëve të dyshuar në Gjermani kur gjykatësit nga Hamburgu shpallën të pafajshëm shokun e Motasadekut Adbdelgani Mzudi. Ai e cilësoi atëherë "tepër liberal" trajtimin gjerman të të dyshuarve për veprimtari terroriste. "Në ShBA nuk do të kishte ndodhur një gjë e tillë" u shpreh atëhere John Ashcroft, duke shtuar se ShBA për fat të mirë kanë një sistem të tillë drejtësie që pyetjen për fajësinë ose pafajësinë e një të padituri e trajtojnë me të njëjtën rëndësi si çështjen e sigurisë kombëtare.

  • Data 08.04.2004
  • Autor Linda Staude
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6x
  • Data 08.04.2004
  • Autor Linda Staude
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6x