1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Ligji duhet të respektohet edhe në veri të vendit

22 Qershor 2009

Policia e Kosovës konfirmon se po heton përfaqësues të serbëve të veriut, të cilët akuzohen për nxitje dhune. Përfaqësuesit serbë, thonë se fillimi i këtyre hetimeve ka për qëllim vetëm frikësimin e serbëve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/IWX8
Mitrovicë
Policia e Kosovës konfirmon se po heton përfaqësues të serbëve të veriut, të cilët akuzohen për nxitje dhune.Fotografi: Nikos Pilos

Kundër Milan Ivanoviqit, përfaqësues i serbëve të Veriut të Kosovës, anëtar i Këshillit Kombëtar Serb, po hetohet nga policia për thirrjet e tij publike për djegien e dy pikave kufitare Kosovë -Serbi, bërë me 10 shkurt të vitit 2009.

Një zëdhënës i policisë së Kosovës, Besim Hoti, thotë se hetimet e policisë rreth deklarimeve publike të zotit Ivanoviq, tashmë janë dërguar në Prokurorinë e qarkut në Mitrovicë, e cila udhëheqet nga misioni EULEX.“Bazuar në informacione, të cilat kanë qenë publike në mediumet kosovare, policia e Kosovës ka inicuar hetime për të mbledhur dëshmitë e nevojshme nëse zoti Ivanoviq, ka bërë thirrje për dhunë. Puna e policisë ka qenë që të mbledhë dëshmi nga hetimet dhe t'i dorëzojë ato në Prokuorinë e qarkut në Mitrovicë," thotë Besim Hoti.

Policë të UNMIK-ut para pikave kufitare që digjen. Brnjak, Kosovë, 19 shkurt 2008.
Policë të UNMIK-ut para pikave kufitare që digjen. Brnjak, Kosovë, 19 shkurt 2008.Fotografi: AP

Prokuroria e qarkut në Mitrovicë, nuk jep hollësi për rastin dhe është vështirë të mësohet nëse ka ngritur aktakuzë kundër përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës, Milan Ivanoviq. Mediat serbe kanë njoftuar se hetime po zhvillohen edhe kundër një përfaqësuesi tjetër të serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiqit.

Të dy politikanët serbë, Milan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq, të cilët refuzojnë të bashkëpunojnë me institucionet kosovare, hedhin poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka bazë mbi të cilën do të iniciohej kallëzimi penal kundër tyre. “E gjithë kjo është një gënjeshtër. Është presion mbi serbët, që t'i frikësojnë ata për të vazhduar kështu spastrimi etnik i serbëve nga institucionet e Kosovës dhe nga Shërbimi Policor i Kosovës," thotë Milan Ivanoviq.

Ndërkohë, udhëheqësi tjetër serb Marko Jakshiq, thotë se inicimi i kallëzimit penal kundër tij, është fabrikuar në Beograd, nga qarqe që e dëshirojnë pavarësinë e Kosovës. “Nga sinjalet që ne i kemi marrë, shihet që nisma për kallëzimet penale vjen prej një qarku të bashkuar në Beograd. Fjalën e kam për ata që angazhohen për jetësimin e planit të Marti Ahtisaarit," thotë Marko Jakshiq. Ai shprehet i vendosur që të kundërshtojë planin e Marti Ahtisarit dhe mos ta njoh realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Ndërkohë, ekpertët e çështjes së sigurisë, thonë se ligji duhet të respektohet edhe në veri të vendit. Nuredin Ibishi, ekpert i çështjeve të sigurisë, i tha DW-së, se pjesa veriore e Kosovës përfundimisht duhet të jetë në fokus të institucioneve të Kosovës, në mënyrë të veçantë organeve të rendit. “Veprimet e policisë në veri të vendit në radhë të parë, do të ndikojnë në përmirësimin e situatës së sigurisë, poashtu do të jenë një mësim i mirë për qytetarët, të cilët do të fillojnë të vetëdijësohen se ligji është aty dhe i arrin të gjithë," thotë Nuredin Ibishi.

Serbët e veriut të Kosovës, patën djegur vitin e shkuar pikat doganore 1 dhe 31 në kufirin Kosovë - Serbi, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Gati një vit më vonë në këto pika doganore u vendos policia e misionit evropian EULEX, por pa doganierët. Serbët e pjesës veriore të Kosovës me protesta të njëpasnjëshme vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen e doganave në këto dy pika kufitare. Ata thonë se nuk do të lejojnë kurrë që të ketë kufi mes veriut të Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarë të misionit EULEX regjistrojnë të gjitha mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, por nuk i doganojnë ato. Humbjet për buxhetin e Kosovës mendohet për këtë arsye të jenë të mëdha.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama