Kosovë: Kërkohen investime në sektorin e prodhimit | Ekonomia | DW | 05.11.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ekonomia

Kosovë: Kërkohen investime në sektorin e prodhimit

Ekspertët e ekonomisë thonë se në Kosovë akoma nuk janë krijuar kushtet për investime të huaja. Korrupsioni llogaritet ndër shkaktarët kryesorë që pengon investimet e huaja në Kosovë.

Në ekonominë kosovare ka pak investime të huaja në sektorët e prodhimit

Në ekonominë kosovare ka pak investime të huaja në sektorët e prodhimit

Korrupsioni në Kosovë frikëson investorët e huaj

Njohës të çështjeve ekonomike dhe hulumtues nga shoqëria civile numërojnë një varg faktorësh se pse Kosova radhitet ndër vendet me shkallën më të ulët në rajon për thithjen e investimeve të huaja. Ndër shkaktarët përmendet shkalla e lartë e korrupsionit, por edhe mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike dhe infrastuktura e dobët rrugore. Klubi për Politikë të Jashtme, një organizatë që mbledh rreth vetës mbledhë ekspertë të ndryshëm, ka bërë një hulumtim për investimet e huaja në Kosovë. Ylli Hoxha, përfaqësues i kësaj organizate, përmend pika nga raporti.

Teza themeltare e këtij raporti konstaton që korrupsioni po e dëmton procesin e tërheqjes së investitorëve në Kosovë. Përmes këtij raporti mundohemi që të argumentojmë se kjo dukuri është frenuese për zhvillimin e Kosovës. Investimet e huaja kanë rënë në dy vjetët e fundit dhe tregojnë tendenca të kundërta me rajonin”, thotë Ylli Hoxha.

Një organizatë tjetër, që merret me studime ekonomike “Universum', konstaton se krijimi i një ambienti ku vërtet sundon ligji, është parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja. Armend Muja, nga ky institut është profesor i ekonomisë.

Ekziston një indeks dhe në atë indeks përfshihet afërsia gjeografike e një vendi, që ndikon në faktorët kryesorë që ndikojnë në investimet e jashtme. E dyta është sundimi i ligjit, kostoja e fuqisë punëtore dhe fuqia e institucioneve për të implementuar rregullat ekonomike”, thote Armend Muja.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë kritikohet

Kur flitet për sundimin e ligjit, kjo automatikisht ndërlidhet me funksionimin e gjykatave thonë ekspertët. Në këtë pikë, Kosova është kritikuar ashpër nga Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën, ku sistemi i drejtësisë, ka marrë notën më të ulët. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, i tha DW-së, se funksionimi i gjyatave cilësohet “Alfa dhe Omega”, e sigurisë për investime të huaja.

Fatkeqësisht ky element është shumë i disfavorshëm në Kosovë sepse edhe vet gjykatat janë deklaruar se kanë shumë lëndë të pazgjidhura, ndërsa, në anën tjetër kanë një numër shumë të vogël të ekzekutorëve që mund t'i përfundojnë këto lëndë. Rëndësia e funksionimit si duhet i gjykatave ka të bëjë më faktin që nëse ekziston ndonjë mosmarrëveshje të ndonjë investitori, qoftë me shtetin apo më ndonjë biznes tjetër këtu në Kosovë, cështja duhet të zgjidhet shumë shpejtë. Këtë nuk e garanton gjyqësori kosovar”, thotë Flamur Keqa.

Parlamenti i Kosovës, ka kohë që ka miratuar ligjin që garanton investimet e huaja në Kosovë. Me këtë qeveria thotë se tashmë në Kosovë ka kushte për investime të huaja. Mirëpo, statistikat tregojnë që investimet e huaja në Kosovë janë shumë të pakta. Ato pak investime që janë bërë janë koncentruar në sistemin e telekomunikacionit dhe sistemin bankar. Ekspertët e ekonomisë thonë se investimet që janë mëse të dëshirueshme në Kosovë janë ato në sektorin e prodhimit, sepse vetëm prodhimi mund të nxisë zhvillim ekonomik dhe mund të zbusë papunësinë e madhe në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 05.11.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/KPUi
  • Data 05.11.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/KPUi