1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koshtunica: Kosova nuk mund të bëhet e pavarur

Bahri Cani15 Shkurt 2007

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica u shpreh se rezoluta e obligon delegacionin e Beogradit në bisedimet e Vjenës të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë

https://p.dw.com/p/ArYX
Vojisllav Koshtunica
Vojisllav KoshtunicaFotografi: picture-alliance/ dpa

Parlamenti i Serbisë, ashtu si pritej miratoi një rezolutë për Kosovën me të cilën hedh poshtë të gjitha pjesët e planit të Marti Ahtisarit, të cilat parashikojnë mundësinë e pavarësisë së Kosovës. Për këtë dokument kanë votuar 225, nga gjithsej 250 deputetë, sa ka parlamenti i Serbisë. Të vetmit që kundërshtuan këtë rezolutë ishin deputetët e koalicionit liberalo - demokrat dhe deputeti shqiptar Riza Halimi. Ndërkohë që tre deputetët hungarezë abstenuan nga votimi. Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica tha se rezoluta e obligon delegacionin e Beogradit në bisedimet e Vjenës, që të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

Koshtunica: "Detyra jonë është që me një përgjigje të qartë të refuzojmë të bëhemi bashkëfajtorë për tërheqjen e drejtësisë para dhunës. Kjo do të thotë se Kosova nuk mund të bëhet e pavarur, madje edhe në qoftë se merret me dhunë. Do të shkojmë në Vjenë për të thënë se Serbia është e gatshme për çdo kompromis të kuptueshëm dhe se shqiptarëve në Kosovë e Metohi u ka ofruar nivelin më të lartë të mundshëm të autonomisë", theksoi Koshtunica duke shtuar se nuk është i mundur asnjë kompromis, i cili nënkupton pavarësinë e Kosovës.

Planin e Ahtisarit në pika të shkurtra para parlamentit serb e paraqiti presidenti i Serbisë Boris Tadiç: "Ky plan Kosovës i hap rrugën për pavarësi, gjë që shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Pranimi i këtij propozimi ka një karakter antikushtetues, që thuhet edhe në rezolutën e qeverisë. Elementet e propozimit të Ahtisarit që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe të drejtat e bashkësisë etnike serbe, çështjet e sigurisë, mbrojtjen e kishave dhe manastireve, pronën publike dhe privatizimin, nuk shkojnë në favorin tonë", theksoi Tadiç i cili poashtu propozoi që të hidhen poshtë të gjitha elementet e planit, me të cilat cënohet sovraniteti dhe intergriteti territorial i Serbisë.

Leon Kojen, koordinator i delegacionit serbe në bisedimet e Vjenës thotë se rezoluta e parlamentit është e obligueshme. Ndërsa koordinatori tjetër, Sllobodan Samarxhiq u shpreh se ata do të kontestojnë të gjitha pjesët e planit që parashikojnë marrjen e sovranitetit dhe cënimin e integritetit territorial. Bashkëpunëtori i Institutit për shkencë dhe politikë në Berlin, Dushan Reliq thotë: "Vendimi i parlamentit të Serbisë është një akt simbolik, i cili partive politike në Sebi u mundëson vazhdimin e bashkëpunimit, për krijimin e koalicionit të ri qeveritar. Prandaj mendoj se i tërë ky akt kishte një rëndësi për përdorimin e brendshëm", thotë Reliq.

Ndërsa sa i përket efekteve jashtë Serbisë, ai thotë se Ahtisari dhe askush tjetër nuk ka besuar se Beogradi do të pranojë këtë plan. Kjo i ngjan një loje shahu, ku Rusia ka bërë të ditur se ka për qëllim ndryshimin në parim të raporteve ndërkombëtare. Prandaj, vendimet e lojtarëve lokalë në Prishtinë dhe Beograd, e madje edhe vetë Ahtisari janë në plan të dytë. Vëmendja tani është përqëndruar tek raportet Moskë - Uashington, mendon Reliq.