1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni në Kosovë në rritje

Bekim Shehu / Prishtinë 5 Dhjetor 2008

Kosova radhitet ndër vendet me shkallë shumë të lartë korrupsioni. Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ekpertët thonë se kjo dukuri negative po ndikon për keq edhe tek investitorët e huaj.

https://p.dw.com/p/GAAW
Duke këmbyer euron me dollarë në Prishtinë
Duke këmbyer euron me dollarë në PrishtinëFotografi: AP

Dukuria e korrupsionit është e shtrirë në të gjitha nivelet në Kosovë. Për pasojë Kosova radhitet ndër vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit në rajon. Kjo dukuri negative, apo siç shpesh e quajnë "kanceri i shoqërisë", sipas ekpertëve po ndikon në moszhvillimin e vendit. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i vetdijshëm për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë, thotë se qeveria e tij do ta luftojë këtë dukuri me të gjitha mjetet që ka në dispozicion. "Qëllimi madhor dhe strategjik i Qeverisë së Kosovës është që ta përgatisë vendin për të ardhmen e saj euro-atlantike, si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky qëllim nuk mund të arrihet nëse lejohet që lëshojë rrenjë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është e qartë se me këtë fenon të pranishëm në shoqëri Kosova nuk do të mirëpritej në Evropë," thotë kryeministri Thaçi.

Ekspertët e ekonomisë nga ana e tyre, thonë se në Kosovën e pasluftës, shkalla e korrupsionit vetëm ka shënuar rritje dhe pasojat janë në shumë rrafshe. Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest, thotë se korrupsioni ka ndikimet e tij negative në çrregullimin e konkurrencës, në çrregullimin e mjedisit të biznesit dhe të klimës së investimeve. Sipas tij, në opinionin e përgjithshëm ekziston perceptimi se korrupsioni ka shënuar vetëm rritje në vitet e fundit. Analisitët e çështjeve ekonomike, thonë se e keqja më e madhe është se korruspioni është i shtrirë edhe në institucionet që kanë ndikim në ekonominë e Kosovës. Vetë kryeministri Thaçi, pati deklaruar më parë se Post-Telekomi i Kosovës, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës dhe Aeroporti i Prishtinës, janë ndër institucionet më të korruptuara dhe ato i cilësoi si simbol të së keqës. Qeveria e tij pati ndërmarë një aksion duke ndërrruar udhëheqjen e këtyre ndërmarrjeve por, nga statistikat e shumë organizatave joqeveritare prapë se prapë, thuhet se këto ndërmarrje mbesin ndër më të korruptuarat. Sipas analistëve nga dukuria e korruspsionit e pranishme në të gjitha nivelet, Kosova është duke krijuar një imazh të keq dhe që automatikisht po ndikon tek investitorët e huaj. Në Kosovë që nga përfundimi i luftës nuk ka ndodhur ndonjë investim i madh i ardhur nga jashtë vendit.