1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultimet për Libinë - Perëndimi diskuton, ushtria e Gadafit marshon

Vilma Filaj-Ballvora15 Mars 2011

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare ende s' bie dakord për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit, trupat e kreut të Libisë, Gadafi të mbështetura nga aviacioni ushatarak po i sprapsin gjithnjë e më shumë kryengritësit.

https://p.dw.com/p/10ZNJ
Kryengritës libianë në Ras LanufFotografi: dapd

Kryengritësit në Libi e kanë gjithnjë e më të vështirë t'i rezistojnë pushtetit të përqëndruar ushtarak të kreut të shtetit Muamar al-Gadafi. Pasi kanë rimarrë nën kontroll zonat në Lindje të vendit, trupat e regjimit po depërtojnë me përforcime ndaj qyteteve të kontrolluara prej opozitës në Perëndim të vendit. Një dëshmitar okular i tha televizionit arab Al-Xhazira të martën (15.03.2011) se brenda pak orësh kryengritësit e humbën kontrollin ndaj qytezës Suvara në afërsi të kufirit me Tunizinë.

Luftimet vazhdojnë

Libyen Aufständische Verteidigungsstellung in Ajdabiya
Kryengritës në Ajdabiya, në Lindje të LibisëFotografi: dapd

Në shënjestër të sulmeve vazhdon të jetë edhe Misurata, një nga qytetet më të mëdha në Perëndim. Sipas të dhënave të një kryengritësi luftimet vazhdojnë edhe në qytetin Al-Savija. Disa komandantë të rebelëve të hënën (14.03.2011) lanë të nënkuptohet se i trëmben gjakderdhjes, në rast se bashkësia ndërkombëtare nuk arrin të krijojë një zonë ndalim-fluturimesh. Kryengritësve nuk u ka bërë përshtypje oferta për amnesti e qeverisë ndaj rebelëvë "të penduar", të cilët dorëzojnë armët. Një zëdhënës i tyre në Misurata tha, se Gadafi ndërkohë ka shumë frikë prej tradhëtisë nga radhët e veta dhe që ai mund të ketë besim vetëm tek djemtë e tij. Një komandant i policisë në qytetin Bengazi të kontrolluar prej kryengritësve në Lindje të vendit tha, se ende nuk mund të përjashtohet mundësia e një fitoreje të rebelëve. «Në rast se trupat e Gadafit nuk ia dalin shpejt, që të venë nën kontroll rafineritë e vendit, atyre do t' u mbarojë karburanti».

Intervista e Gadafit

Libyen Fernsehrede von Muammar Gaddafi in Tripolis
Moammar Gadhafi jep një intervistë në Tripoli, 8 mars 2011.Fotografi: dapd

Gadafi ndërkohë ka dhënë një tjetër intervistë të çuditshme. Gazetës italiane «Il Giornale» ai i tha se qeveria e tij vërtetë bën luftë kundër rrjetit terrorist të Al-Kaidas, por në rast se Perëndimi do të veprojë si në rastin me Sadam Huseinin në Irak, "atëherë Libia do të largohet nga aleanca ndërkombëtare kundër terrorizmit». Tripoli do të hyjë pastaj në aleancë me terroristët dhe do të shpallë luftën e shenjtë. Vetëm para pak ditësh Gadafi bëri përgjegjës rrjetin e Al-Kaidas për komplot kundër regjimit të tij. Presidentin francez Nicolas Sarkozy ai e cilëson si të marrë. Ndërsa nga kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi është i zhgënjyer, vazhdon Gadafi.

Gjermania për «sanskione politike me objektiv të qartë»

Deutschland Westerwelle zu Lage in Libyen und Japan
Ministri i Jashtëm gjerman Guido WesterwelleFotografi: dapd

Ministrat e jashtëm të vendeve të G-8 vazhdojnë konsultimet në Paris lidhur me qëndrimin ndaj Gadafit. Të hënën (14.03.2011) ata nuk mundën të bien dakord për një linjë të përbashkët lidhur me zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi. Ministrat e jashtëm ranë dakord që të vazhdojnë konsultime të mëtejshme në Këshillin e Sigurimit. Sipas të dhënave të ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle gjatë konsultimeve në Këshillin e Sigurimit do të bëhet fjalë edhe për «sanskione politike me objektiv të qartë», gjë që e kërkon Gjermania. Këshilli i Sigurimit në Nju Jork të hënën (14.03.2011) nisi për herë të parë konsultimet mbi zonën e ndalim-fluturimit me kërkesë të Ligës Arabe, por tani për tani nuk është marrë asnjë vendim. Siç bëhet e ditur ende shumë çështje mbeten të hapura.

Autor: V.Filaj-Ballvora (dpa)

Redaktoi. A.Verbica