1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kongres i harmonisë apo rivalitetit

Ralf Bosen3 Shtator 2005

Në fundjavë në Nyrnberg zhvilloi punimet kongresi i partisë kristiansociale, CSU. Mesazhi kryesor që donte të jepte partia kristiansociale në kongresin e saj ishte një union kristjan unik

https://p.dw.com/p/Aqit
Kongresi i CSU-së në Nyrnberg
Kongresi i CSU-së në NyrnbergFotografi: AP

Mes partive si motra jo gjithmonë ka harmoni. E kjo vlen edhe për kristjandmeokratët e kristjansocialët. Raportet midis tyre janë përballur me shumë tensione qysh në kohën e ish-kryetarit të kristjansocialëve Franc Jozef Shtraus. E kjo klimë ka vazhduar edhe sot e kësaj dite mes kryetarëve të partive Shtojber dhe Merkel. P.sh. në garën për kandidaturën për postin e kancelarit, që tashmë mundi ta fitojë Merkeli.

Shtojber në të kundërt rrallëherë është i gatshëm që t´i nënshtrohet disiplinës së unionit. Përpara pak javësh ai kritikoi në mënyrë të mëvetsishme zgjedhësit në Lindje të Gjermanisë duke thënë, se këta nuk duhet të vendosin për zgjedhjet parlamentare. Kristjandemokratët e ndjenë veten të turpëruar dhe lufta elektorale mbeti në vend numëro. Një pozicion ky jo fort i favorshëm për të larguar me forca të bashkuara nga posti kancelarin Shrëder.

Ndaj partia kristjansociale në kongresin e partisë në Nyrnberg donte të sinjalizonte në radhë të parë një gjë, që unioni është unik. Shtojber dhe njerëzit e tij mbështesin Merkelin me të gjitha forcat dhe pa asnjë rezervë. Këtë sinjal kongresi e dha. Asnjëherë tjetër nuk ka pasur kaq përkrahje të madhe publike të kristjansocialëve ndaj Merkelit sa këtë radhë në Nyrnberg. "Angi - Angi" brohorsinin të 1.000 delgeatët me ovacione rekord - e ky ishte edhe qëllimi i kongresit të partisë. Ky ishte edhe një sukses personal i Merkelit, që mundi t´i entuziazmojë delgatët. Deklarata e saj, se në rast fitoreje veçanërisht në Bavari do të ulë taksën e padëshëruar ekologjike ndaj energjisë, shkaktoi entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Megjithatë kjo harmoni demonstrative mund të shndërrohet shpejt në një flluskë sapuni që mund të çahet lehtë. Kjo pasi në brendësia e unionit kristjan vazhdon të ziejë e gurgullojë nga mosmarrëveshjet. Një prej pikave është çështja e pasqaruar e Shtojberit lidhur me personelin. 64 vjeçari ende nuk e ka thënë hapur, nëse në rast të fitores do të preferojë post ministror në Berlin, apo kryeministrin e Bavarisë. Ka të ngjarë, sipas disa deklaratave të njerëzve të besuar të tij, që ai të qëndrojë në Mynih. Por kjo nuk është fort e sigurt. Gjë që jep shkas për shqetësime.

Ka gjithashtu edhe mosmarrëveshje të tjera përmbajtësore lidhur me luftën elektorale. Merkel dëshiron të argumentojë në mënyrë serioze dhe të jetë e përmbajtur. Shtojber në të kundërt synon që në fazën e fundit të sulmojë, të polarizojë dhe të zgjojë emocione, në rast nevoje duke përdorur edhe një dozë retorike të ashpër. Shtojber shpreson për një rezultat jashtëzakonisht të mirë të kristjansocialëve në këto zgjedhje. Në rast të një fitoreje Shtojber do të ketë një potencial më të madh për të ushtruar presion për realizimin e përfytyrimeve të tij lidhur me ndarjen e posteve ministrore. E në një rast të tillë princi i vetëdijshëm i landit të Bavarisë do të bashkëvendosë për zhvillimet në Berlin. E pikërisht nëse arrihet kjo do të marrë fund sërish harmonia mes unionistëve.