1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e Sidës ka në fokus Evropën Lindore

19 Korrik 2010

Në Vjenë po zhvillohet konferenca e 18-të botërore e Sidës. Në këtë takim, që zgjat deri të premten, ekspertët po diskutojnë për rrugë të reja për luftimin e Sidës.

https://p.dw.com/p/OOp7
Fotografi: dpa

Më tepër se 20.000 studiues, mjekë, politikanë dhe pacientë nga 100 vende të botës po marrin pjesë në konferencën e Vjenës kushtuar Sidës. Ekspertët kanë në qendër të vëmendjes përmirësimin e të ashtuquajturve "bllokues të virusit", të mënyrë që të zgjatet jeta e pacientëve, që kurohen me medikamente. Vetëm një e treta e 15 milionëve të sëmurëve me Sidë në Botë marrin medikamente, që u zgjasin jetën dhe zbusin simptomat. Presidenti i Shoqatës Botërore të Sidës, Julio Montaner, tha se për fat të keq mungon vullneti politik për t'i ofruar çdo të infektuari me Sidë mjekimin e nevojshëm. Një nga pikat, ku përqëndrohet vëmendja e konferencës, është gjendja në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, ku në të kundërt me tendencën botërore numri i infektimeve me virusin HIV, po shtohet.

Dossierbild Welt Aids Konferenz 3
Sida problem botërorFotografi: picture alliance/dpa

Përhapje e madhe e Sidës në Evropën Lindore

Sipas një studimi të UNICEF-it 80% e të infektuarve në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore janë më të rinj se 30-vjeç. Që prej vitit 2006 në disa rajone të Rusisë ka pasur një rritje të infektimeve në masën 700%. Sipas UNICEF-it sëmundja po përhapet sidomos në radhët e fëmijëve, të të rinjve dhe të grave në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore.

Sipas drejtorit ekzekutiv të UNICEF-it për Gjermaninë, Christian Schneider, të prekur janë në radhë të parë: "Të rinj, që e kanë kaluar gjithë jetën e tyre nëpër jetimore dhe nuk janë përgatitur për një jetë normale, si dhe fëmijët e rrugëve, prostitutat e mitura, apo të rinj, që për shkak se nuk shohin asnjë shpresë për jetën drogohen".

Shpresë për zbulimin e vaksinës

AIDS - Forschung in Hamburg
Shpresë për zbulimin e vaksinësFotografi: picture-alliance/ dpa

Studiuesi amerikan, Anthony Fauci, një ndër ekspertët më me emër në të gjithë botën, tha se ka shpresa për zbulimin e vaksinës kundër sëmundjes së dobësimit të imunitetit. Pas një serie provash dhe eksperimentesh ai tha se është mjaft i bindur se kjo vaksinë do të zbulohet, edhe pse përgatitja e saj për përdorim do të zgjasë ende vite.

Virusi HIV u zbulua në fillim të viteve 1980-të. Sipas vlerësimeve me të janë infektuar rreth 33,4 milionë vetë në të gjithë botën, rreth 25 milionë syresh kanë gjetur deri tani vdekjen. Çdo vit prej Sidës vdesin rreth dy milionë vetë.

Autor: dpa/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica