1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koncept i ri strategjik për Naton

Anila Shuka11 Nëntor 2008

Kancelarja gjermane kërkon një koncept të ri strategjik të Nato-s. Në takimin vjetor të asamblesë së përgjithshme të Shoqatës së Aleancës Atlantike Merkel propozoi që koncepti i ri të prezantohet në samitin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/FrYk
Merkel kërkon një koncept të ri strategjik, i cili do të na krijojë qartësi për shekullin e 21-të
Merkel kërkon një koncept të ri strategjik, i cili do të na krijojë qartësi për shekullin e 21-tëFotografi: AP

"Koncepti më i fundit strategjik i NATO-s është nga viti 1999, pra para se të dilnin në pah sfidat e terrorizmit para të cilave ndodhemi dhe prandaj unë mendoj se është e rëndësishme, që në samitin e ardhshëm të krijojmë një koncept të ri strategjik, i cili do të na krijojë qartësi për shekullin e 21-të, se ku qendrojnë detyrat e ardhshme të NATO-s", tha kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë takimit të Atlantic Treaty Association (shkurt: ATA).

Një datë e përshtatshme për të prezantuar konceptin e ri strategjik është samiti jubilar me rastin e 60-vjetorit të Natos që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shtrasburg/Kehl, e ku për herë të parë do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Barack Obama.

Sipas Merkelit, NATO është garantuese e sigurisë sonë kolektive, jo vetëm në aspektin ushtarak, por në një aspekt më të gjerë. Merkel propozoi konceptin strategjik të një "politike të ndërlidhur sigurie". Me këtë nënkuptohet një frymë bashkëpunimi më e ngushtë me institucionet e tjera ndërkombëtare.

Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, një pikë shumë e rëndësishme në strategjinë e re të ndërlidhur do ta përbëjë bashkëpunimi me BE-në, pa hequr dorë as nga ekzistenca e NATO-s e as nga koncepti i politikës evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë. "Le t'i lëmë mënjanë konkurrencat dhe konkurset e bukurisë e të shohim shembujt pozitivë të bashkëpunimit në Bosnjë dhe Somali. Kemi bërë punë të mirë, por mund ta bëjmë edhe më të mirë", kërkoi holandezi Skefer.

Pjesëmarrës nga vendet antare dhe kandidate të Natos po diskutojnë gjatë këtyre dy ditëve në një maratonë forumesh të quajtura "Bisedimet e Portës së Brandenburgut" për sfidat kryesore të Nato-s në vitet e ardhshme. Në takim merr pjesë edhe një delegacion zyrtar nga Shqipëria, në cilësinë e anëtarit të asociiuar.