1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidatura e Sarkozisë në Francë & Kriza në partinë CSU

DW15 Janar 2007

Debati i ndezur në partinë kristiansociale (CSU) në Bavari mbi të ardhmen e kryetarit të partisë dhe kryeministrit bavarez Edmund Shtoiber është tema më e komentuar në shtypin e sotëm gjerman. Nga temat ndërkombëtare veçojmë zëra lidhur me kandidaturën e ministrit të brendshëm francez, Nikola Sarkozi për postin presidencial.

https://p.dw.com/p/Arm6

Lidhur më zgjedhjet presidenciale në Francë gazeta "Schwäbische Zeitung" që del në Leutkirh shkruan: "Sot Franca është kthyer në një levë penguese për Evropën. Kjo duhet të ndryshojë, premtojnë rivalët Rojal dhe Sarkozi. Sepse sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë valerian i hedhin verës së tyre kundërshtarët. Nga frika për të mos i trembur zgjedhësit, tani papritur sërish shumë gjëra po mbulohen, po vihen në qetësi dhe po zbukurohen me fjalë. Ndërsa realiteti i ashpër është krejt ndryshe. Kushdo që t´i fitojë zgjedhjet në fund, do të duhet t´u bëjë të qartë francezëve, se vendi pa reformat që mund të shkaktojnë dhimbje do të humbasë të ardhmen. Për këtë nevojitet një masë minimale ndershmërie madje qysh përpara zgjedhjeve. Mësjë Sarkozi dhe Madamë Rojale, që po e shesin veten përpara bashkëatdhetarëve të tyre si ripërtëritës, duhet të kenë kujdes, që në luftën e ashpër për pushtetin sot të mos ngjallin zhgënjimin për të nesërmen. Në heshtje francezët e dinë prej kohësh, se edhe ata po kërcënohen nga kohë më të vështira.", vëren "Schwäbische Zeitung".

Ndërsa e përditshmja "Badisches Tagblatt" i vë një pikëpyetje figurës së Sarkozisë në rolin e përfaqësuesit të të gjitha shtresave të popullsisë: "Më vendimtare se grindja brendapartiake për Sarkozinë do të jetë nëse ai mund të bindë shumicën e francezëve që është transformuar nga përfaqësuesi i vijës së fortë në një figurë integrimi, që do të përfaqësojë të gjitha grupet e popullsisë. Vetëinskenimi i djeshëm i tij i shton edhe më shumë dyshimet për këtë.", tërheq vëmendjen "Badisches Tagblatt".

Ndërsa "Dresdner Neueste Nachrichten" shkruan: "Kryetari i partisë konservatore në pushtet për shumë francezë përfaqëson ndryshimin e brezave, fillimin e ri dhe një kthesë në politikë, me të cilën shumica janë të pakënaqur. Ndaj edhe ka inkurajim të madh në parti. Megjithatë Sarkozi është një politikan i diskutueshëm. Ai tenton të nxitojë dhe të polemizojë. Fjala e tij "llumi" e përdorur kundër të rinjve që revoltuan ka mbetur e paharrueshme. Atij do t´i duhet ta kontrollojë veten për fushatën elektorale në prill, sepse ka përballë një kundërshtare të qetë dhe që kalkulon me mendje të kthjellët si socialistja Segolen Rojal.", komenton "Dresdner Neueste Nachrichten".

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm është debati i zjarrtë mes kristiansocialëve bavarezë lidhur me të ardhmen e kryetarit të partisë dhe kryeministrit të Bavarisë, Edmund Shtoiber. Kriza e shkaktuar në këtë parti ka të bëjë me rikandidimin ose jo të Shtoiberit.

Një vlerësim nga komentatori i "Frankfurter Allgemeine Zeitung": "Edhe sikur Shtoiberi t´i kish parë shenjat paralajmëruese të muajve të shkuar, siç ishin revolta e fraksionit të partisë në parlamentin e landit mbi çështjen e orarit të dyqaneve dhe jehona në rritje e fushatës kundër tij brenda partisë, ai me sa duket nuk do t´i kish intepretuar si duhet ato. Ashtu siç ai nuk mund të përfytyrojë një jetë pa politikë, ai nuk mund të përfytyrojë as kristiansocialët e kësisoj as Bavarinë pa udhëheqjen e tij. Në kohët e vjetra një gjë të tillë do ta quanin verbëri. Asokohe për një komandant ishte një ideal që duhej mbrojtur duke rënë në fushën e hapur të betejës. Ndërsa në demokraci tërheqja prej arsyes është më e ndershme.", komenton "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Ndërsa në gazetën "Mitteldeutsche Zeitung" lexojmë: "Shtrohet pyetja nëse ka kuptim një kandidaturë e Shtoiberit për vitin 2008. Me rikandidimin e tij nuk kthehet qetësia, ndaj ai duhet të shkojë - madje sa më shpejt, në mënyrë që pasardhësi të mund të bëjë nxemjen. Por mungojnë personalitetet e fuqishme. Ministri i brendshëm bavarez, 63 vjeçari Gynter Bekshtajn do të ishte kryekëput një kryeministër nga e keqja. Partia kristiansociale nuk ka një aspirant bindës për të gjithë. Rëzimi i parashikueshëm i Shtoiberit ka të bëjë me diçka absurde. Nëse ai nuk do të kish bërë kaq shumë gabime, pjesërisht të rënda, lirshëm ai do të mund të qeveriste deri në vitin 2013. Ndërsa tani ai sheh përpara vetes një njollë të zezë.", konstaton "Mitteldeutsche Zeitung".