• Kancelari gjerman takohet me përfaqësuesve e opozitës për të biseduar për mundësitë për të dalë prej krizës së papunësisë në Gjermani • Edhe një sulm tjetër ndaj sferës private – Depozitim për një kohë më të gjatë i biseda | Studimi në Gjermani | DW | 13.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• Kancelari gjerman takohet me përfaqësuesve e opozitës për të biseduar për mundësitë për të dalë prej krizës së papunësisë në Gjermani • Edhe një sulm tjetër ndaj sferës private – Depozitim për një kohë më të gjatë i biseda

Tre ndër katër gjermanë e shohin takimin e Shrëderit me opozitën si farsë taktikash elektorale

Tre ndër katër gjermanë e shohin takimin e Shrëderit me opozitën si farsë taktikash elektorale

Temë qendrore e gazetave të sotme gjermane është takimi i nivelit të lartë mes kancelarit Shrëder dhe përfaqësuesve të dy partive më të mëdha opozitare në Gjermani, CDU dhe CSU, për të biseduar për mundësitë për të dalë prej krizës së papunësisë në vend. Ky takim prej shumicës së komentatorëve shihet me skepticizëm.

Fillimisht shfletojmë gazetën "Märkische Zeitung" në të cilën lexojmë:

"Një gjë dihet me siguri tri ditë përpara këtij takimi: në rast se ky dështon zhgënjimi nuk të jetë i madh. Tre ndër katër gjermanë nuk besojnë se ky takim do ta përmirësojë gjendjen në tregun e punës në Gjermani. Me sa duket populli nuk u beson as skenave mediatike të kancelarit që flet me bindje se papunësia do të kapërcehet dhe as manierizmave me të cilat partitë opozitare i thurin himne "Paktit të tyre për Gjermaninë". Për këtë ka mjaft shkaqe. Kështu p.sh. do të ishte në kundërshtim me të gjithë përvojën e politikës gjermane në rast se tani, në prag të zgjedhjeve për landin NRW, politikanët do të vinin interesat e përgjithshme përpara interesave partiake. Elementët taktikë me të cilat partitë kanë përgatitur bisedimet e tyre të bëjnë të kuptosh se edhe kësaj radhe nuk do të jetë ndryshe."

Ndërsa në gazetën "Kölnische Rundschau" lexojmë:

"Qytetarët e ndjejnë mjaft mirë se kur ceremonitë politike të inskenuara me mjaft zhurmë do të çojnë vërtet në rezultate të mirfillta. Sipas sondazheve të zhvilluara shumica e qytetarëve nuk besojnë se takimi i së enjtes do të sjellë me vete vendime themelore dhe kjo prognozë nuk është e pabazë. Rregulla bazë kur është fjala për bisedime të vështira është: ai që do të arrijë vërtet diçka nuk vë që më parë kushte. Po ashtu ai nuk i drejtohet më parë publikut, sepse një gjë e tillë pengon hapsirën për kompromise në bisedime. Dhe këto ditë në prag të bisedimeve po shkelen masivisht që të dyja këto rregulla."

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" mendon se ky takim i nivelit të lartë mund të ketë një shanc, "vetëm në rast se pjesëmarrësit bien dakord për një qëllim, që të marrin vendime për më tepër punësim dhe më tepër rritje ekonomike, gjëra që njëra palë nuk mund t'i arrijë pa palën tjetër. Pjesëmarrësit duhet të përqëndrohen vetëm në gjërat thelbësore. Do të ishte p.sh e arsyeshme që ligji që mbron punonjësit prej pushimit nga puna të zëvendësohej me një rregull të qartë për pagimin e një kompensimi, sikurse kërkon opozita. Opozita ka gjithashtu mjaft propozime të mira për shkrirjen e burokracisë, por ajo nuk bën mirë që e stilizon ligjin kundër diskriminimit, i cili në vetvete është vërtetë problematik, në një çështje të tipit - të jesh a të mos jesh."

Në kuadër të takimit të kancelari me përfaqësuesit e opozitës për të diskutuar për një çështje si ajo e luftimit të papunësisë gazeta "Berliner Zeitung" analizon koalicionin aktual qeveritar:

"Në vitin e gjashtë në pushtet koalicioni qeveritar të krijon përshtypjen se nuk ka më koncepte dhe nuk është unanim. Madje ai jo vetëm ta krijon këtë përshtypje, por është i tillë. Kjo nuk të çudit dhe nuk është e pazakontë. Sepse pas një rruge kaq të gjatë si ajo mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve, koalicioni duhet të jetë rraskapitur dhe gërryer nga brënda. I njëjti Gerhard Shrëder që gjatë fushatës elektorale 1998 i luftoi si shpërbërje të sistemit social gjerman përpjekjet minimale të qeverisë së dikurshme për t'i përshtatur sistemet sociale në Gjermani me realitetin e vendit, nënshkroi në postin e kancelarit ligjet për reformimin e sistemit shëndetsor dhe të ligjeve të punës. Sot e di kushdo se i duhet të kujdeset vetë për pensionin. Duhet thënë se qeveria aktuale mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve i ka hapur opinionit publik gjerman sytë për problemet e globalizimit. Thënë në mënyrë populiste Shrëderi është akullthyesi për shpërbërjen e shtetit social sipas modelit të vjetër. Jo megjithëse, por sepse ai është socialdemokrat."

Së fundi citojmë pjesë nga gazeta "Mannheimer Morgen" rreth planeve të MPB Oto Shili për të depozituar për një kohë më të gjatë se deri tani të dhënat e telefonatave dhe të e-maileve, si masë për të luftuar më mirë kriminalitetin dhe terrorizmin.

"Natyrisht që mund të shtrojmë pyetjen se kë dëmton një hap i tillë përveçse kriminelëve? Dakord, në vështrimin e parë e gjitha nuk duket shumë dramatike. Po telefonatat, mesazhet që dërgohen me celular, apo e-mailet janë absolutisht private. Ka edhe qytetarë të ndershëm që sillen konform ligjit, të cilët nuk duan që ta marrin vesh të gjithë se kujt i kanë dërguar një mesazh përmes celularit. Po ashtu në rast se të gjitha të dhënat telefonike apo ato që dërgohen përmes e-mailit do të ruhen për një vit të tërë, atëhere secili prej nesh do të jetë edhe më transparent për shtetin dhe organet e tij. Edhe në emër të luftimit të terrorizmit një gjë e tillë është e papranueshme, që të mos flasim për zellin e tepruar me të cilin do të mblidhen informacione të tilla. E pastaj kush na garanton se këto të dhëna do të përdoren vetëm për t'u mbrojtur prej terrorizmit? Të dhënat telefonike janë interesante si për avokatin që është ngarkuar p.sh. për të bërë divorcin e një çifti ashtu edhe për zyrat e tatimeve. Parlamenti e ka hedhur poshtë kërkesën për ruajtjen më të gjatë të të dhënave telefonike, dhe kjo duhet të mbetet kështu."

  • Data 13.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwL
  • Data 13.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwL