1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Ministrave i BE-së aprovoi raportin për Kosovën të hartuar nga Havier Solana

Viron Gjymshana23 Shkurt 2004

Ministrat e jashtëm të BE theksuan se rruga e Serbisë drejt Europës kalon nëpërmjet bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës.

https://p.dw.com/p/ArIF
Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian ripërsëriti sot shqetësimin e tij ndaj rrjedhës në të cilën kanë hyrë zhvillimet në Serbi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Me këtë rast ministrat e jashtëm të BE-së ripohuan se Bashkimi Europian dëshiron të shohë një Serbi të angazhuar në rrugën e reformave politike dhe ekonomike si dhe në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, duke nënkuptuar me këtë kërkesë bashkëpunimin e plotë edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, luftën kundër krimit të organizuar, një politikë pajtuese dhe bashkëpunim me vendet fqinje.

Ministrat e jashtëm të BE-së vejnë në dukje me këtë rast se përmbushja e këtyre kërkesave është me rëndësi të dorës së parë në afrimin e Serbisë me Bashkimin Europian.

Përsa i takon zhvillimeve në Kosovë, Bashkimi Europian i kërkoi sot Hari Holkerit që ai ta njoftojë së shpejti me hapat dhe nivelin e realizimit të standarteve nga shoqëria kosovare. Ministrat aprovuan sot edhe raportin për Kosovën të përgatitur nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana, ku parashtroheshin rrugët dhe mënyrat që duhen ndjekur për të forcuar kontributin dhe rolin e Bashkimit Europian në vënien në jetë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Siç është bërë e ditur, ideja qëndrore e raportit që Solana u paraqiti sot shefave të diplomacive europiane dhe që nesër do ia paraqesë Holkerit, Rugovës, Dacit etj është perspektiva europiane e Kosovës. Kështu që në rast se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e ka vënë theksin në realizimin e standarteve si kusht për vënien në tavolinë të problemit të statusit të Kosovës, Bashkimi Europian po u shton këtyre kritereve edhe një kontribut të tij personal që ka të bëjë me ardhmërinë europiane të Kosovës.

Nga kabineti i Solanës bëhet e ditur se dialogu i drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë njëra nga kërkesat që kryediplomati europian do i parashtrojë nesër edhe palës kosovare.