Këshilli i Evropës u bën thirrje shteteve evropiane që të mos bashkëpunojnë me SHBA-s gjatë hetimit të të burgosurve të Guantanamos
27 Prill 2005Takimi parlamentar i Këshillit të Evropës u mbyll me unanimitet të plotë. Madje deputeti britanik i partisë së punës, Labour, i cili është mik i Blair-it, e kritikoi në mënyrë fare të hapur qeverinë e Bushit. 71 vjeçari Kevin MacNamara, i cili është përgjegjës për informimin e Këshillit të Evropës mbi gjendjen në Guantanamo, u përshkroi deputetëve të pranishëm në takimin parlamentar situatën tragjike ditore të të burgosurve në bazën ushtarake amerikane në Kubë:
"Gjatë hetimit ndodh që një grua e veshur në mënyrë provokuese, nxjerr revista pornografike dhe luan me trupin e saj. Pastaj vjen një burrë me fotografi në të cilat ndodhet një grua lakuriq së bashku me Osama Bin Laden. Të burgosurve u thuhet se në rast se nuk bashkëpunojnë, ata do të dërgohen në një shtet tjetër ku do të torturohen" - tha McNamara.
Politikani britanik u shfaq i indinjuar mbi mënyrën e hetimit në burgun e Guantanamos. Pothuasje të gjithë deputetët e pranishëm ishin të bindur se metodat tortururese që u përdorën në burgun irakian Abu Graib përdoren gjithnjë e më shpesh nga amerikanët. Britaniku MacNamara tha:
"Jam i mendimit se metodat e SHBA-s në Guantanamo janë një sulm i hapur kundër vlerave të shoqërisë sonë."
MacNamara është autori i rezolutës që u pranua menjëherë nga deputetët e Këshillit të Evropës. Në këtë rezolutë kritikohet ashpër qeveria e Bushit. Të burgosurit në Guantanamo trajtohen në mënyrë poshtëruese dhe çnjerëzore. Këto metoda aprovohen madje nga oficerët më të lartë amerikanë dhe qeveria e Bushit është e informuar mbi të gjitha mënyrat e hetimit. Ish ministrja gjermane e drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger është dakord me të gjitha formulimet e rezolutës së Këshillit të Evropës:
"Problemi kryesore qëndron në faktin se në Guantanamo Bay ndodhen prej vitesh 660 të burgosur nga 44 vende të botës, të cilët u arrestuan si pasojë e luftës kundër terrorit. Por të drejtat e tyre themelore janë shkelur krejtësisht" - thotë ajo.
Në rezolutën e tyre, deputetët e Këshillit të Evropës u bëjnë thirrje 46 shteteve antare të këtij Këshilli, që të mos dorëzojnë më asnjë të dyshuar në SHBA-s, në rast se ky i fundit do të dërgohet në Guantanamo Bay. Madje Këshilli i Evropës ka deklaruar se nuk do t´i ofrojë SHBA-s asnjë informacion apo fakte relevante, në rast se të burgosurit nuk do të gjykohen përpara një gjykate të rregullt.