1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërcënimet nga Teherani & Çmimi i naftës

Vilma Filaj-Ballvora6 Qershor 2006

Kërcënimet nga Teherani, se një goditje ushtarake e ShBA ndaj komplekseve bërthamore iraniane mund të shkaktojë krizë enegjetike komentohen sot në shtypin gjerman.

https://p.dw.com/p/Arpa
Mahmoud Ahmadinejad
Mahmoud AhmadinejadFotografi: AP

E përditshmja e Këlnit "Kölner Stadt-Anzeiger" vëren:

"Edhe pse përfaqësuesit e qeverisë iraniane deri më sot shpesh herë kanë theksuar, se nuk duan ta përdorin naftën si armë në grindjen atomike, kërcënimi i Ajatollahut Ali Kamenei nuk është befasues. Sa më shumë e sheh veten në zënë ngushtë Teherani, aq më të dëshpërura bëhen përpjekjet e tij për tu mbrojtur nga presioni ndërkombëtar. Një kërcënim i tillë s´është bindës. Rreth 80 për qind e buxhetit iranian përbëhet prej të ardhurave nga nafta. Teherani do t´i mbyllte rubinetin vetvetes nëse do të ndërmerrte të tilla. masa. E megjithatë ShBA dhe evropianët duhet të vazhdojnë përpjekjet diplomatike, sepse gjendja është mjaft shpëthyese. Përveç kësaj nga grindja deri tani kanë përfituar vetëm koncernet e naftës, që papushim janë duke rritur çmimin", konstaton "Kölner Stadt-Anzeiger".

Ja se si komentohet në të përditshmen "Nürnberger Zeitung":

"Në Perëndim paralajmërimi i Kameneit s´duhet të kuptohet si një kërcënim i vërtetë dhe as si refuzim indirekt i ofertës, që do të dorëzojë sot në Teheran i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Havier Solana, në emër të pesë fuqive me të drejtë vetoje dhe Gjermanisë. E njëjta gjë vlen edhe për qëndrimin e pakompromis të presidentit Mahmud Ahmedinexhad, i cili sërish tërhoqi vëmendjen, se nuk do të heqë dorë nga procesi i pasurimit të uranit. Kjo pasi e drejta për pasurimin e uranit dhe realizimi i saj janë dy gjëra të ndryshme", shkruan "Nürnberger Zeitung".

Për komentatorin e "Westdeutsche Zeitung" të Dyseldorfit është e qartë që kërcënimi nga Teherani i adresohet ShBA:

"Padyshim që kërcënimi në radhë të parë i drejtohet ShBA, si i vetmi vend që vazhdimisht i kundërvihet Iranit duke përmendur opcionin e goditjes ushtarake ndaj komplekseve bërthamore. Por këtu kemi të bëjmë më shumë me një luftë psikologjike. Sepse Shtëpia e Bardhë s´mund t´i paraqesë më opinionit aventurierë ushtarakë, që bazohen tek supozimet. Tek e fundit mbi sfondin e vërtetë të programit bërthamor iranian ka po aq shumë pasiguri sa edhe ndaj arsenalit të armëve të asgjësimit në masë të Sadamit asokohe. Që Teherani ta vërë në jetë kërcënimin duket e pamundur, pasi Irani është eksportuesi i katërt i naftës në botë. Mullahët do të izoloheshin edhe më shumë në arenën ndërkombëtare po të ndërmarrin një hap të tillë", komenton "Westdeutsche Zeitung".

Por për komentatorin e gazetës së Neubrandenburgut "Nordkurier" Perëndimi duhet t´i vlerësojë me seriozitet tonet nga Teherani:

"Fakt është që Teherani do të heqë dorë sa më pak të jetë e mundur prej programit bërthamor. Irani e ndjen veten si një fuqi në rritje në Lindjen e Mesme ndaj demonstron forcën. Por Perëndimi duhet ta marrë seriozisht kërcënimin e Kameneit. Nëse mund të bëhet diçka për t´i bindur iranianët të heqin dorë prej planeve të tyre, atëherë kjo vetëm me oferta konstruktive për bisedime konstruktive. Dhuna, edhe në rast të një Jo-je nga Teherani, do të ishte përgjigja e gabuar", nënvizon "Nordkurier".

Nga artikulli i "Westfälischer Anzeiger" që del në Ham veçojmë:

"Me një kërcënim pompoz ndonjëherë mund të arrish më shumë, se sa në duelin direkt, ndaj udhëheqja iraniane përpiqet ta shfrytëzojë këtë strategji. E si mund të kuptohet ndryshe britma e Ajatollahut lidhur me çështjen e furnizimeve me naftë? Por s´kemi përse të frikësohemi, që radikalët iranianë vërtetë do të guxojnë të ndërpresin eksportet e naftës. Kjo jo vetëm do t´i mbyllte vendit burimin më të rëndësishëm të të ardhurave, por Teherani me Kinën, që është blerësi kryesor i naftës iraniane, do të humbiste edhe avokatin e fundit në Këshillin e Sigurimit. Rreziku i sanskioneve ekonomike ndërkombëtare do të shumëfishohej", tërheq vëmendjen "Westfälischer Anzeiger".

Së fundi edhe një citat nga analiza e "Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung" që del në Esen lidhur me rritjen e çmimit të naftës në fundjavë:

"Energjia është monedha e pushtetit. Këto ditë madje mund të thuash, se ajo është një instrument torture. Irani po ia demonstron këtë ShBA. Ne konsumatorët po e ndjejmë këtë në rritjen e çmimit të naftës, që në fundjavë arriti mbi 73 dollarë. Politkanët e marrëdhënieve me jashtë po i preokupon varësia në rritje e Perëndimit. Brenda natës siguria për energjinë është bërë temë. Por varësia është reciproke. ShBA kanë të drejtë. Te jesh vetëm është e vështirë të gjesh ngushëllim. Vetëm kërcënimi për të mbyllur rubinetin e naftës jep shkas për shqetësim. Gjithnjë e më shumë ShBA dhe BE po i kuptojnë si një sfidë gjeeostrategjike energjitë alternativë", analizon "Neue Ruhr/Neuer Rhein-Zeitung"