1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo më shumë se konfirmim i perspektivës evropiane - Fillon punimet Samiti i Sarajevës

1 Qershor 2010

Në samitin e Sarajevës ku marrin pjesë ministrat e jashtëm nga vendet e BE-së, Ballkanit perëndimor, dhe përfaqësues nga NATO dhe OSBE, pritet konfirmim i perspektivës evropiane. Vendet e Ballkanit shpresojnë më shumë.

https://p.dw.com/p/Nf3j
Catherine Ashton
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme, Catherine AshtonFotografi: AP

Para fillimit të punimeve të samitit të Sarajevës më 2 qershor 2010 ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit perëndimor, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme, Catherine Ashton, u shpreh në Bruksel, se "integrimi i vendeve të Ballkanit në familjen evropiane, mbetet një nga sfidat e fundit të Evropës së bashkuar dhe demokratike". Sarajeva do të konfirmojë vendin e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit, theksoi ajo. Pritet që në samitin e Sarajevës të vlerësohen përparimet e vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimit evropian. Brukseli megjithatë paralajmëron se kanë mbetur ende sfida në rrugën evropiane.

Kritikë për të ngarkuarin për Ballkanin

Sipas raporteve nëpër media Catherine Ashton kishte ndër mend të emëronte një të ngarkuar të posaçëm të BE-së për Ballkanin, por sipas qarqeve diplomatike, ky plan nuk është mirëpritur nga ministrat e tjerë, pasi propozimi do të vinte pa u konsultuar më parë me ta. Për postin e të ngarkuarit të BE-së për Ballkanin vinin në pyetje dy ish të ngarkaurit për Bosnjë-Hercegovinën, britaniku Paddy Ashdown dhe sllovaku, Miroslav Lajçak.

Një takim me vlera simbolike

Logoja e institutit gjerman për Shkencë dhe Politikë
Logoja e institutit gjerman për Shkencë dhe Politikë

Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në shkurt 2008, ulen në një tryezë të përbashkët bisedimesh ministri i jashtëm i Kosovës Skender Hyseni dhe ai i Serbisë, Vuk Jeremiç: "Jam i lumtur që kemi gjetur një mënyrë për të qenë atje, pa kompromentuar pozicionet kushtetuese të asnjërit, e sidomos atë të Serbisë," - u shpreh Vuk Jeremiç të hënën në Berlin në kuadër të një fjalimi të mbajtur në Përfaqësinë e Komisionit Evropian.

Për herë të parë që nga samiti i Zagrebit i vitit 2000 mblidhen të gjithë përfaqësuesit e BE-së dhe Ballkanit së bashku në një tryezë bisedimesh. Profesorja e historisë në universitetin elitar Ludwig Maximillian në Mynih, Marie-Janine Calic, për programin shqip të Deutsche Welle-s vlerëson: “Në një farë mënyre ky takim është historik, sepse ai arriti të kapërcejë një sërë problemesh protokollare më parë, vlera simbolike e tij është e lartë.”

Ndërsa eksperti i Institutit gjerman për siguri “Shkencë dhe Politika” Dushan Reljiç është më i kthjellët në gjykimin e tij: “Këtu kemi të bëjmë më shumë me faktin, që asnjëra nga palët nuk ka dëshirë t'ia prishë vetes shansin për integrimin në Bashkimin Evropian, prandaj edhe ata kanë hyrë në këtë kompromis.”

Jo takim ndërmjet Jeremiçit dhe Hysenit

Vuk Jeremiç dhe Skënder Hyseni - fotomontazh
Vuk Jeremiç dhe Skënder Hyseni për herë të parë në një tryezë bisedimeshFotografi: AP Graphics/DW Fotomontage

As Reljiç dhe as Calic nuk besojnë se do të ketë takime të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës, për sa kohë, që nuk ka dalë verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. “Jam i sigurtë se bisedimet jozyrtare do të fillojnë në momentin kur të jetë bërë i njohur rekomandimi i Gjykatës së Hagës për pavarësinë e Kosovës. Kjo mund të ndodhë në verë ose në vjeshtë. Pastaj të dyja palët, të ndodhura në një presion shumë të lartë nga jashtë, do të detyrohen të ulen në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur çështje të së përditshmes, si transporti, energjia e të tilla”, parashikon eksperti gjerman, Reljiç.

Edhe Calic konfirmoi se çështjet bilaterale nuk do të jenë temë e takimit . Ajo që do të dalë nga ky takim është rikonfirmimi i perspektivës ballkanike, por nuk do të ketë as data e as plane kohore për fillimin e negociatave.

Por pikërisht këtë e presin tashmë vendet e rajonit, si për shembull Serbia: "Pres me kureshtje mesazhin e Bashkimit Evropian, i cili shpresoj që të mos jetë vetëm ripërsëritja e premtimit për një perspektivë të qartë evropiane, sepse këtë e kemi dëgjuar më parë,” theksoi ministri i Jashtëm serb, Jeremiç dy ditë para takimit.

Marie-Janine Calic u shpreh se BE-ja në këtë moment nuk mund të ofrojë më shumë se kaq: “Vendet e Ballkanit kanë të drejtë që presin pak më shumë. Por nga ana tjetër, BE-ja ka argumente të mira kur thotë se reformat nuk po ecin me shpejtësinë e duhur, dhe madje në disa vende të tjera ka kthim mbrapa”, vuri në dukje Calic.

Ministria e Jashtme
Ministria e JashtmeFotografi: dpa Zentralbild

Gjermania nuk është kundër zgjerimit

Në takimin e Sarajevës Gjermania nuk përfaqësohet në nivel ministror, por nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Wolf- Ruthard Born. Calic shprehu keqardhjen për këtë, por ndryshe nga shumë komentues nga rajoni i Ballkanit, ajo theksoi se kjo nuk është aspak shenjë e kundërshtimit të Gjermanisë ndaj zgjerimit të BE-së. “Gjermania ka qenë gjithmonë një nga mbrojtëset kryesore të interesave të këtij rajoni dhe për shumë vite ka kërkuar afrimin e vendeve ballkanike me BE-në. Unë mendoj, se ky premtim dhe ky obligim do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e politikës gjermane ndaj Evropës Juglindore”, tha ajo për Deutsche Wellen


Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi