Javë e rëndësishme për Kosovën | Ballkani | DW | 20.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Javë e rëndësishme për Kosovën

Sytë e mbarë opinionit botëror janë drejtuar këto ditë drejt Nju Jorkut, ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithëshme e OKB -së. Interesim të posaçëm për këtë seancë ka opinioni shqiptar, sepse me 22 shtator, i ngarkuari i posaçëm për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, do të raportojë para Këshillit të Sigurimit për ecurinë e bisedimeve mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit.

Marti Ahtisari

Marti Ahtisari

Është kjo mbase java edhe më e rëndësishme në historinë e Kosovës së pasluftës. Me çështjen e Kosovës do të merret Natoja, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera.

22 shtator: Ahtisaari i raporton Këshillit të Sigurimit

Megjithatë, ngjarja kryesore do të zhvillohet me 22 shtator, kur Marti Ahtirsari do të raportojë para Këshillit të Sigurimit për ecurinë e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë.

Dilema më e madhe në këtë moment është nëse Ahtisari, do t'ia paraqesë KS edhe sugjerimet e tij për ardhmërinë e Kosovës. Sa i përket ecurisë së bisedimeve për çështjet teknike, ndërmjetësuesi kryesor Albert Rohan, tha pas takimit të fundit në Vjenë se "kështu mund të bisedohet edhe dhjetë vjet, por rezultate nuk do të ketë".

Shpresat e palës kosovare prej takimit në OKB janë shumë të mëdha, thotë për Dojçe Velen, zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri. "Besoj se angazhimi serioz i Prishtinës ka bërë që presidenti Ahtisari të shohë konstruktivitetin e palës sonë. Ne jemi të gatshëm që të përmbushim obligimet tona dhe t'i koordinojmë aktivitetet me Grupin e Kontaktit dhe zyrës së tij. S'mund ta imagjojë që Beogradi t'i ofrojë qëndrimet me bashkësinë ndërkombëtare, sepse ende po punon me formula të vjetra: formulën e destabilizimit dhe shtyrjes së procesit të Kosovës", pohon udhëheqësi i delegacionit kosovar në bisedimet për decentralizimin e pushtetit.

Shpresat e Beogradit prej këtij takimi janë të ndryshme. "Me 22 shtator në Nju Jork, Marti Ahtisari do të raportojë për bisedimet e deritanishme, e ndoshta do të paraqesë edhe sugjerimet e tij për statusin e ardhshëm. Ne nuk presim që në këtë takim të merret ndonjë vendim tepër i rëndësishëm. Mirëpo, presim që krahas me negociatat për statusin përfunditmar të vazhdojnë edhe bisedimet për decentralizimin e pushtetit. Kjo do të forconte pozicionet tona edhe në bisedimet për statusin", pohon udhëheqësi i delegacionit të Beogradit, në bisedimet e Vjenës, Sllobodan Samarxhiq.

Tadiq, Drashkoviq dhe Artemije njëkohësisht në SHBA

Ndërkohë Beogradi ka nisur këto ditë një ofensivë të vërtetë diplomatike drejt selisë së Kombeve të Bashkuara dhe ShBA. Në tokën amerikane për momentin gjendet presidenti Boris Tadiq, ministri i jashtëm Vuk Drashkoviq dhe peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Artemije.

Në nivele të ndryshme ata po përpiqen të bindin përfaqësuesit ndërkombëtarë që të deklarohen kundër pavarësisë eventuale të Kosovës. Më së shumti shpresa Beogradi ka tek qëndrimet e Rusisë. Në veçanti pas një deklarate të Presidentit Vlladimir Putin, për mundësinë që në KS Moska të përdorë edhe veton kundër pavarësisë së Kosovës.


Në faqen zyrtare të Ministrisë së jashtme ruse kumtohet sot se procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet të zhvillohet në përputhje me Rezolutën 1244 dhe duke mos caktuar afate kohore për përfundimin e negociatave. Në një dokument të kësaj Ministrie, të hartuar për këtë seancë, thuhet se prioritet duhet të kenë standardet, me të cilat mundësohen edhe të drejtat dhe liritë e minoriteteve.

Tadiq është takuar në Nju Jork me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov. Pas takimit ata kumtuan se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet përmes kompromisit midis Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë ditës së djeshme, Tadiq ka biseduar shkurt edhe me presidentin amerikan Xhorxh Bush, i cili i ka thënë se është i njoftuar me takimet e tija që në fillim të muajit ka pasur me sekretaren Kondoleza Rajs dhe autoritetet tjera amerikane. Në këto takime, presidentit Tadiq i është thënë hapur se Kosova do të ketë një lloj pavarësie.

Pavarësi me kushte për Kosovën

Në qarqet ndërkombëtare më së shumti po flitet për mundësinë e një pavarësie me kushte. Për një zgjidhje të këtillë angazhohen edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, të cilët së shpejti do të debatojnë rezolutën e miratuar prej Komitetit politik. Në këtë dokument thuhet se pavarësia e Kosovës, me disa kushte të caktuara, nuk mundëson vetëm realizimin e vullnetit të popullit shumicë, por stabilizon edhe gjendjen në rajon. Po cili është qëndrimi i Prishtinës ndaj pavarësisë së kushtëzuar?

"Nuk mund të jetë e pranueshme asnjë formë e kushtëzimit të pavarësisë së Kosovës. Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Kosova nuk mund të jetojë në të ardhmen me kushte. Kjo nuk është në funksion të interesave ekonomike, të zhvillimit të marrëdhënjeve ndëretnike dhe pajtimit mes shqitparëve dhe serbëve, që do të vijë pas statusit. Do të krijonte tendosje mes shumicës dhe serbëve si dhe në raportet me Serbinë", pohon Lutfi Haziri.

Një stacion shumë i rëndësishëm para raportimit të Ahtisarit, është takimi i tij me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit, i cili ka kërkuar në takimin e fundit në Sofje që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti.

  • Data 20.09.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcS
  • Data 20.09.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcS
Reklamë