1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hap i rëndësishëm për formimin e besimit

Eberhard Nembach2 Qershor 2006

Fuqitë me të drejtv vetoje i ofrojnë Iranit stimuj për ndalimin e programit bërthamor

https://p.dw.com/p/ArLN

Të enjten në mbrëmje u morrën vesh pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit dhe Gjermania: Iranit do ti ofrohen stimuj politikë në mënyrë që në këmbim ai të heqë dorë nga pasurimi i diskutueshëm i uraniumit, deklaruan ministrat e jashtëm në Vjenë. Të dhëna më të hollësishme nuk u publikuan, as ndonjë afat për reagim nga ana e Iranit. Megjithatë reagimi nga Teherani duhet të jetë konstruktiv, si edhe oferta nga Vjena.

Ka qenë punë mjaft e vështirë, tha ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier natën duke u gdhirë e premte pas takimit me përfaqësuesit e fuqive me të drejtë vetoje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nga njëra anë qëndronin simbolikisht si front i bashkuar përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, SHBA-ës, Rusisë, Kinës, nga ana tjetër Irani. Kjo mund të ketë lënë më shumë përshtypje në Teheran sesa pranojnë përfaqësuesit e qeverisë së atjeshme.

Dhe vërtet përbën sukses: amerikanët dolën nga vetja, pushojnë së foluri për bosht të së keqes dhe i ofrojnë Teheranit bisedime. Rusia dhe Kina duket se dalin edhe ato nga vetja dhe në këmbim mbrojnë së paku për çastin rritjen e trysnisë mbi presidentin autokratik të Iranit Mahmud Ahmadinexhad. Këtij i ofrohet tani mundësia, të arrijë atë që i duhet ndoshta më shumë: prestigj, njohje si fuqi rajonale, ftesën për të zënë vend në tryezën e të mëdhenjve fare.

Ndoshta të dyja palët mund të fitojnë shumë sikur Irani të ndërpresë së paku përkohësishtpasurimin e uraniumit duke krijuar kështu besim. Irani si vend i varfër mund të fitojë ndihma ekonomike që i nevojiten me ngut. Amerikanët mund të fitojnë stabilitet në rajon dhe mbështetje në Irak, për të cilën edhe ata kanë shumë nevojë. Rusia dhe Kina, por edhe evropianët mund të sigurojnë lidhje me një partner të rëndësishëm tregtar dhe livrues të rëndësishëm lëndësh të para.

Kur të nisin negociatat, kur përveç evropianëve të pasuksesshëm në tryezë me përfaqësuesit e Teheranit të ulen vërtet SHBE-ës e ndoshta edhe Rusia dhe Kina, dhe kur iranianët të tregohen disi të arsyeshëm, atëherë mund të mendohet edhe për lëshime të tjera. Iranit mund t'i lejohet për shembull pasurimi i uraniumit në përmasa të kufizuara dhe nën kontrollin ndërkombëtar. Kjo u duket ekspertëve në Vjenë shumë herë më e mirë sesa skenari i tmerrshëm koreanoverior.

Atje kontrollorët e IAEA-së u dëbuan nga vendi, tani askush nuk e di nëse atje janë ndërtuar bomba bërthamore. Për sa kohë kontrollorët e Vjenës shohin se ç'bëjnë inxhinierët bërthamorë iranianë, bëjnë pyetje të bezdisshme dhe ndjekin çdo lëvizje në stacionet bërthamore me anë të kamerave të tyre, për aq kohë do të zgjasë ndërtimi i bombës bërthamore teknikisht i vështirë dhe i kushtueshëm i kryer në fshehtësi - në rast se Teherani e synon vërtet këtë, siç hamendësojnë shumë.

Besimi është i mirë, kontrolli është më i mirë. Por në këtë rast kontrolli efikas presupozon diçka, që në të dyja anët të ketë besim. Për këtë u hodh një hap i rëndësishëm në Vjenë, tani duhet të vijë i dyti, në Teheran.