Gur i rëndësishëm në themelet e statusit | FOKUS | DW | 09.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Gur i rëndësishëm në themelet e statusit

Dokumenti për decentralizimin e pushtetit lokal do t'i dorëzohet sot në Prishtinë, Grupit Negociator të Kosovës

Prishtina

Prishtina

Dokumenti tashmë i përfunduar për decentralizimin e pushtetit vendor, nga ana e palës shqiptare të Kosovës respekton disa parime bazë. Ato kanë të bëjnë me pamundësinë e ndarjes së jashtme apo të brendshme të Kosovës. Zyrtarë nga Grupi politik strategjik thonë, se për këto parime të reformës së pushtetit lokal ekziston një pajtueshmëri e plotë edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Grupi politik strategjik do t'i dorëzojë sot, Grupit Negociator të Kosovës, dokumentin për decentralizimin, ndërkaq, grupi negociues pritet t'i japë dritën e gjelbër Ministrit të Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, që të takohet në fund të muajit në Vjenë me homologun e tij serb nga Beogradi, Zoran Llonqar. Tema e vetme e bisedimeve do të jetë decentralizimi. Udhëheqësi i grupit të ekspertëve i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final, Blerim Shala, pas takimit të fundit tha se, nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe as kantonizim të saj: "Asnjë propozim për decentralizimin nuk mund të lejojë ndarjen e brendshme apo të jashtme të Kosovës dhe nuk mund të cënojë funksionalitetin e pushtetit qendror lokal të Kosovës."

Këto janë vijat e përgjithshme, mbi të cilat bazohet dokumenti i Prishtinës që pritet të diskutohet në Vjenë më palën serbe. Detaje të tjera nuk janë dhënë, ndërsa, pala shqiptare këmbëngul, se për decentralizmin nuk do të ketë kompromise. Grupi politik strategjik i dorëzon sot, në Prishtinë, dokumentin e reformës së pushtetit lokal, Grupit Negociator të Kosovës, në kohën kur në Vjenë kryenegociatori ndërkombëtar, Marti Ahtisari, pritet të takojë Grupin e tij, në të cilin bëjnë pjesë edhe zyrtarë të UNMIK-ut.

Grupi politik strategjik i Kosovës, ndërkaq, ka kohë që është duke punuar në materialet bazë që duhen përgatitur për ekipin e zotit Ahtisari. Janë dy dokumente kryesore, decentralizimi dhe argumentimi ligjor i pavarësisë së Kosovës. Materialet do të jenë të gatshme për takimin e radhës me kryenegociatorin ndërkombëtar dhe në këtë kuadër pala kosovare thotë, se është përgatitur për këtë takim që pritet të realizohet në gjysmën e dytë të muajit Janar. Pala kosovare në takim me zotin Ahtisari, do t'i prezantojë atij edhe argumentimin ligjor për pavarësinë e Kosovës.



  • Data 09.01.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgj
  • Data 09.01.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgj