1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi negociator i Kosovës po harton platformën e bisedimeve

Bekim Shehu28 Tetor 2005

Sot në Prishtinë grupi negociator i Kosovës zhvilloi takimin e tij të dytë, që nga themelimi i tij

https://p.dw.com/p/Aqso
Fotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës është vënë në lëvizje për hartimin e një platforme për bisedimet për statusin. Deri në takimin e radhës do të bëhet edhe formimi i grupeve punuese që do të ndihmojnë negociatat. Kjo u tha sot, pas takimit të dytë të grupit negociator që zhvilloi punimet në Prishtinë dhe kërkesës së vazhdushme të shefit të UNMIK-ut, që Kosova tashmë duhet të jetë e gatshme dhe me një platformë të qartë për bisedime. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kryeson grupin negociator, u shpreh shkurt, se brenda anëtarëve ka unitet të plotë për qëllimin kryesor pavarësinë, ndërsa për pikat e tjera diskutimet po vazhdojnë ende.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaqi, megjithëse është pjesë e grupit negociator, kërkon që ky grup në procesin e statusit të ketë një rol konsultativ. Vendimet për çështjet madhore duhet të merren në kuvendin e Kosovës, kërkoi ai.

Në takimin e sotëm janë hedhur shumë ide se si duhet të jenë grupet punuese, të përbërë nga përfaqësues institucionesh apo nga njerëz të shoqërisë civile. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, kërkon që grupet punuese në esencë të jenë nga institucionet e Kosovës.

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës thonë se ata janë duke e hartuar platformën për bisedimet, mirëpo, nuk do t'a bëjnë atë publike deri në fillimin zyrtar të bisedimeve për statusin. Më saktësisht deri në emërimin dhe arritjen në Prishtinë të emisarit të OKB-së, për bisedime që sipas gjasave do të jetë, Marti Ahtisari. Si fazë të parë grupi negociator është duke përgatitur një letër, e cila do t'u drejtohet shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit para takimit të 2 nëntorit, takim ky që do të zhvillohet në Uashington. Mësohet se ndër çështjet më kryesore që do të kërkohet, është ajo që gjatë bisedave pavarësia e Kosovës të mos negociohet.