Grindja Rusi-Ukrainë për gazin & Lirimi i familjes Krobog | Studimi në Gjermani | DW | 02.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Grindja Rusi-Ukrainë për gazin & Lirimi i familjes Krobog

Dy janë tema më të komentuara në shtypin e sotëm: Ndërprerja e furnizimeve të Ukrainës me gaz nga koncerni rus Gazprom si dhe lirimi i familjes gjermane Krobog të rrëmbyer në Jemen.

"Süddeutsche Zeitung" shkruan: "Viti 2006 fillon me vrull të madh për Rusinë. Qysh nga 1 janari për herë të parë ajo ka kryesinë e radhës në grupin e vendeve kryesore demokratike të industrializuara G8. Pikërisht në të njëjtën ditë Rusia i mbyll rubinetin e gazit vendit fqinj Ukrainës. Të dyja këto ngjarje kanë rëndësi të veçantë për vetëdijen e re të një shteti, që qysh pas fundit të Bashkimit Sovjetik është në kërkim të vetvetes. Rusia e Vladimir Putinit e ndjen veten mirë në shoqërinë e të mëdhenjve, dhe me plot zell i tregon të voglit, se kush e ka në dorë çekiçin", komenton "Süddeutsche Zeitung" që del në Mynih.

Ndërsa gazeta e Bonit, "General Anzeiger" nënvizon: "Nëse ti nuk bindesh, atëherë më duhet dhuna' Pikërisht në çastin e ndryshimit të viteve presidenti i Rusisë, Putin, demonstron se si e kupton ai ekonominë e tregut dhe lirinë - duke i prerë duart Ukrainës. Do të ish verbëri, po të mos e kuptonim ashtu siç është projektin pilot të Putinit: ky është thjeshtë presion. Nëse nuk do të kish sfond politik, ky veprim s´kish përse të shërbente si mjet i ushtrimit të presionit politik ndaj një shteti që tenton të shkëputet prej Rusisë duke u orientuar nga Perëndimi. Duke arësyetuar me këtë logjikë, shtrohet pyetja, mos vallë Gazpromi do t´i anullojë tarifat e posaçme edhe për vasalin besnik të Putinit, Lukashenkon në Bjellorusi", analizon "General Anzeiger".

Në të njëjtën linjë komenton edhe "Märkische Oder Zeitung" që botohet në Frankfurt mbi Oder: "Mbyllja e rubinetit presupozon edhe fundin e dialogut? Edhe pse gjigandi energjetik rus tregon muskujt duke i mbyllur gojën qeverisë ukrainase, dikur ai do të ulet sërish në tryezën e bisedimeve. Kremlini nuk mund t´i bëjë ballë një konflikti të vazhdueshëm, sepse me këtë do të dëmtonte vetveten. 80% e eksporteve të Gazpromit në Evropë kalojnë përmes territorit të Ukrainës. Alternativë s´ka. Linja gazsjellëse e Lindjes do të vihet në fuksionim duke filluar nga viti 2010", vëren "Märkische Oder Zeitung".

Në ditën e fundit të vitit që lamë pas u arrit lirimi pa dhunë i familjes së diplomatit gjerman Jyrgen Krobog të rrëmbyer në Jemen qysh nga 28 dhjetori. Gazeta "Fuldaer Zeitung" shkruan: "Rasti Krobog tregon, se disa vende nuk janë të sigurta për turistët, pavarësisht nëse njerëzit rrëmbëhen për arësye të politikës së brendëshme, propagandistike, apo financiare. Një veprim i tillë nuk është aktivitet folklorik, por një ngjarje kërcënuese. Lajmi lapidar, se pengmarrja në Jemen përfundoi lehtë e pa dhunë, nuk i ndihmon aspak të prekurit", tërheq vëmendjen "Fuldaer Zeitung".

Ndërsa "Frankfuerter Allgemeine Zeitung" komenton duke shtuar: "A duhet t´i kalojmë pushimet në Jemen? Natyrisht që jo. Por sidoqoftë edhe pas rrëmbimit të ish-sekretarit të shtetit Jyrgen Krobog dhe familjes së tij sërish shumë turistë do të nisen drejt skajit jugperëndimor të Arabisë, për të shijuar bukuritë natyrore dhe kulturore të këtij vendi që ka mbetur arkaik. Njeriu perëndimor i mirëqenies tundohet shumë prej kësaj. Ndërsa në Jemen vazhdojnë të jetojnë banorët, që janë të organizuar nëpër fise. Nëse ata rrëmbejnë njerëz dhe i mbajnë ato peng, këto janë veprime kriminale që shteti jemenit do dhe duhet t´i hetojë dhe t´i përndjekë. E pikërisht këtu qëndron pika kyçe, në shoqërinë e fiseve të vendit është ende mjaft e vështirë që të zbatohet monopoli i së djejtës dhe i pushtetit të shtetit", komenton "Frankfuerter Allgemeine Zeitung".

  • Data 02.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars6
  • Data 02.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars6