1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindja atomike me Iranin & Fuzionimi i bursave

3 Qershor 2006

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë zera lidhur me konfliktin atomik me Iranin. Mjaft e komentuar në shtyp është sot edhe krijimi i bursës më të madhe në botë me fuzionimin e Euronext dhe bursës së Nju Jorkut.

https://p.dw.com/p/Arpc

Lidhur me Iranin, duket se Teherani po i përmbahet qëndrimit kategorik në grindjen atomike. Pavarësisht nga oferta e re për bisedime nga pesë antarët e Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania, ky vend do të vazhdojë procesin e pasurimit të uranit.
Në shtypin gjerman gjen jehonë negative kryeneçësia e presidentit iranian Ahmedinexhad.

Mbi këtë gazeta "Stuttgarter Zeitung" komenton: "Irani me lëshimet e pjesshme do të përpiqet ta çajë frontin e mbyllur me mundim të bisedimeve duke vazhduar lojën si macja me miun. Por kjo mund të zgjasë shumë pa pasur pasoja, nëse Këshilli i Sigurimit nuk arrin në unanimitet për sanksionet dhe Xhorxh Bushi për arësye të politikës së brendëshme nuk do të guxojë goditjen ushtarake. Kësisoj bota më në fund do të duhej të ambjentohej me një Iran si fuqi atomike. Kjo do të ishte rruga e tretë, për të cilën nuk foli në Vjenë ministrja e jashtme britanike", shkruan "Stuttgarter Zeitung".

Gazeta "Eßlinger Zeitung" përshëndet faktin, që bashkësia ndërkombëtare në grindjen atomike ka dalë me një ofertë: "Për herë të parë Iranit i paraqitet një paketë e ndershme bisedimesh, që përmban edhe stimuj joshës. Udhëheqja në Teheran ndodhet në një situatë që i duhet të veprojë deri në mes të qershorit. Në rast se reagimi do të jetë pozitiv është joshëse perspektiva që Këshilli i Sigurimit ta heqë nga rendi i ditës konfliktin me Iranin", vëren "Eßlinger Zeitung".

Fuziniomi i bursës Euroenxt, që përfshin bursa në katër vende të Evropës: Paris, Amsterdam, Bruksel dhe Lisbonw, me bursën e Nju Jorkut është një temë mjaft e komentuar në shtypin e sotëm. Edhe bursa e Frankfurtit ishte në garën e fuzinimit me Euronext, por fitoi oferta e Nju Jorkut, duke e lënë kështu Frankfurtin jashtë këtij grupimi.

Gazeta "Westfälischer Anzeiger" shkruan: "Bursa e katër vendeve Euronext duke u bashkuar me Stock Exchange të Nju Jorkut ka ekspanduar në bursën më të madhe në botë. Në këtë rebus financiar është e vështirë të përcaktosh, se kush është i fituari, por tashmë i humburi dihet: kjo është Evropa. Bashkësia, që si një treg me një monedhë mund të kish fituar peshë dhe fuqi në botën e karakterizuar prej globalizimit, nuk gjeti mbështetjen e shumicës. Aq më shumë të shqetëson fakti, që nuk mund të gjesh arësyet bindëse, përse u refuzua oferta e Gjermanisë. Por mund të nënkuptohen shkaqe të tilla si rezervat nacionale dhe frika e vjetër prej dominancës gjermane", komenton "Westfälischer Anzeiger".

Në të përditshmen "Märkische Oderzeitung" lexojmë: "Në sfondin e rrymave të paimagjinueshme financiare që rjedhin çdo ditë anë e mbanë globit, bursat e fuzionuara premtojnë sinergji të vërtetë. E kjo ia vlen për depozituesit që hynë në biznes më me leverdi si dhe për sipërmarrësit e bursave, të cilëve u mbeten më shumë para në arkë. Ndaj s´është çudi përse Frankfurti u nënshtrua. Mbeten dy mundësi: ose t´ua kalosh amerikanëve duke ofruar më shumë, ose të orientohesh në rajone të tjera të botës. E pra seria tjetër vijon", konstaton "Märkische Oderzeitung".

Edhe një vlerësim nga "Augsburger Allgemeine": "Bursa gjermane papritur ndodhet e vetme mes dy aleancave të mëdha transatlantike. Kryesia e Euronext-it e ndjente veten më shumë të kërcënuar se sa të favorizuar prej gjermanëve. Mbi parketin parizian sillej fantazma e një imperializmi financiar nga Frankfurti. Kjo temë ishte e mjaftueshme për të ringjallur remineshencat e vjetra kundër pretendimit gjerman për të qenë fuqi e madhe. Humbja përfundimisht e betejës për gëlltitjen lë pas një vakum. Fluksi i parave nga gtregjet në rritje të Azisë rrezikon të anashkalojë kontinentin. Endrra për një treg të madh evropian të biznesit si një kundërpol ndaj tregjeve amerikane është shuar, e me këtë është humbur një shans historik", vëren "Augsburger Allgemeine".