1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Momenti i trajtimit të statusit është i përshtatshëm

Anila Shuka2 Shkurt 2007

Është momenti i duhur për të diskutuar statusin e Kosovës, ka thënë sot në Berlin zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme gjermane, Martin Jeger. Presidenca gjermane e BE-së e mbështet shprehimisht propozimin e Ahtisaarit dhe u bën thirrje palëve që me gjakftohtësi të marrin pjesë në zgjidhjen e çështjes.

https://p.dw.com/p/AqnA
Ahtisaari dhe Steinmeier, Shkurt 2006
Ahtisaari dhe Steinmeier, Shkurt 2006Fotografi: AP

"Ne jemi të mendimit që momenti i përshtatshëm ka ardhur. Kjo është rrjedhojë logjike e çështjes. Është e qartë që çdo qeveri serbe duhet të dijë se si është ky propozim në detaj, në mënyrë që ta marrë parasysh atë gjatë bisedimeve për krijimin e qeverisë,"- i tha Martin Jaeger të premten Dojçe Veles. "Sepse çdo qeverie që do të vijë në Serbi do të duhet të konfrontohet me këtë propozim."

Në emër të Presidencës së Bashkimit Evropian, Gjermania ka shprehur mbështetje për qëllimin e presidentit Marti Ahtisaari për të udhëhequr bisedimet intensive që do të zhvillohen menjëherë gjatë javëve të ardhshme pas dorëzimit të propozimit të tij në Prishtinë dhe Beograd:

"Presidenca i bën thirrje këmbëngulëse si Beogradit ashtu edhe Prishtinës që të marrin pjesë në këto bisedime me seriozitet dhe pa rezerva. Nga të dyja palët kërkohet vetëdija e përgjegjësisë, fleksibilitet dhe sens për kompromis realist, tha zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme gjermane, Martin Jeger sot në Berlin.

Ministri i punëve të jashtme gjermane, Frank Valter Shtajnmeier, do ta trajtojë çështjen e Kosovës edhe gjatë bisedimeve të tij të sotme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai ndodhet për një takim të kuartetit të Lindjes së Mesme, bëri të ditur Jeger më tej. Çështja e Kosovës do të jetë temë e bisedës si me sekretarin e përgjithshëm të OKB/së, Ban Ki Mun, ashtu edhe me ministren amerikane të punëve të jashtme, Kondolisa Rajs. Jeger theksoi me këtë rast, se për presidencën gjermne zgjidhja e problemit të Kosovës është me rëndësi vendimtare për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe do të përbënte një hap të mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit, tha zëdhënësi i presidencës gjermane të BE-së, Martin Jeger.

Edhe i eksperti për Ballkanin nga partia liberale gjermane, Rainer Stinner, u bën thirrje palëve për gatishmëri për kompromis. Stinner i tha sot Dojçe Veles, se është më mirë që propozimi i Ahtisaarit do të shkaktojë zhgënjim tek të dyja palët, pasi kështu është më lehtë të arrihet një kompromis: Unë që herët kam qenë i mendimit, që perspektiva evropiane duhet të jetë qëllimi i përbashkët, në këtë rast, kufijtë nuk do të luajnë ndonjë rol, sepse ne të tërë jemi pjesë të kësaj Evrope të përbashkët." Deputeti gjerman ka kritikuar si Beogradin dhe Prishtinën që nuk i kanë përgatitur qytetarët e tyre që më parë për këtë situatë. Stinner gjithashtu tha më tej, se detyra e Bashkimit Evropian, në krye të të cilit aktualisht ndodhet Gjermania është, që të jetë unike në mbështetje të propozimit të Ahtisarit.