150110 Kundus Deutschland
15 Janar 2010Para pak kohësh kryetarja e Kishës Evangjeliste në Gjermani, Margot Käßmann, u kritikua sepse pati deklaruar se: "asgjë nuk shkon mirë në Afganistan". Ajo u akuzua ndër të tjera se me deklarata të tilla shkatërron moralin e ushtarëve të ushtrise gjermane (Bundesvehr) në Afganistan. Ndërkohë deklaratat e fundit të një guvernatori afgan mund të minojnë edhe më shumë moralin e trupave gjermane.
Guvernatori i krahinës Kundus, Mohammad Omar nuk ka qenë as në të kaluarën i kursyer me kritikat e tij drejtuar në adresë të misionit gjerman në Afganistan. Megjithatë tani ai ishte edhe më i qartë. Ai i quajti trupat e Bundesvehrit në rajonin e tij thjesht të paefektshme. "Në fillim kur erdhën gjermanët ishin shumë efektivë në rajon, për ndërtimin e rrugëve, të klinikave, të urave dhe shkollave. Por sot gjendja ka ndryshuar, ajo është përkeqësuar. Gjermanët janë të dobët për sa i përket ndryshimit të gjendjes së sigurisë. Ne kemi një armik i cili do të na vrasë. Ne kemi po ashtu miq - por nëse një mik nuk na shpëton duhet t'i drejtohemi një miku tjetër".
Nëse nuk na ndihmojnë gjermanët atëherë duhet të vijnë amerikanët
Fjalë të ashpra këto për çdo ushtar të Bundesvehrit, i cili në parim rrezikon jetën e tij sa herë që del nga kampin i Kundusit. Omar po ashtu dëshiron shtimin e pranisë amerikane dhe zvogëlimin e asaj gjermane në rajon.
Talibanët, El Kaida dhe kryengritësit e tjerë kanë lëshuar rrënjë në Kundus, ka shtuar guvernatori. Sipas mendimit të tij për të hequr qafe armiqtë, gjermanët nuk janë zgjedhja e duhur. Oficeri i shtypit i ekipit për rindërtimin e Kundusit, Jürgen Mertins, i pyetur për këtë thekson: "Vlerësimi i guvernatorit pasqyron me siguri gjendjen e tensionuar. Është krejtësisht e kuptueshme që guvernatori e mirëpret sipas mënyrës së tij përforcimin e trupave amerikane".
Qeveria gjermane duhet t'i mundësojë ushtarëve efikasitet
I pyetur pastaj se çfarë duhet të ndryshojnë gjermanët, guvernatori Mohammad Omar i bie shkurt: ata duhet të vrasin kryengritësit. Ne duam që ata ta bëjnë këtë, shprehet shefi i krahinës: "Ekipi për rindërtimin në Kundusit është siç duket i gatshëm për të luftuar armiqtë. Por fatkeqësisht këtë nuk e do qeveria gjermane. Ajo nuk dëshiron që të vdesin ushtarët e saj. Por ne këtu në krahinë bartim përgjegjësinë për njerëzit tanë: ne duhet t'i heqim qafe kryengritësit dhe të kemi siguri. Ne duam që qeveria gjermane të kuptojë realitetin e këtushëm. Që ajo t'i mundësojë ushtarëve të veprojnë me efikasitet. Kjo për faktin se ne kemi këtu shumë terroristë".
Efektiv dhe të drejtë e vlerëson guvernatori për shembull bombardimin e urdhëruar nga gjermanët të dy autocisternave të rrëmbyera nga talibanët. Ai dëshiron më shumë ofensiva. Edhe pse gjendja e sigurisë në Kundus është përmirësuar pak kohëve të fundit, sipas guvernatorit kjo është meritë e forcave afgane të sigurisë dhe trupave amerikane. Por zëdhënësi i ekipës gjermane për rindërtimin në Kundus sqaron se bashkëpunimi mes Bundesvehrit dhe forcave afgane të sigurisë është shumë i mirë: "Në muajt e kaluar ne kemi pasur një varg operacionesh së bashku me palën afgane. Dhe ne mendojmë se ato kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes së sigurisë në hapësirat e Kundusit".
Guvernatori Omar e sheh këtë ndryshe: pakësimi i terrorit mund të arrihet vetëm me më shumë prani amerikane. Prandaj ai dëshiron që Obama do të mbaj premtimin për shtimin e trupave dhe do të dërgojë 3.000 ushtarë shtesë në krahinën e tij. Atëherë sipas Omarit gjermanët mund të përqëndrohen lirisht në rajonet më të qeta në veri të vendit.
Autor : Kai Küstner / Esat Ahmeti
Redaktoi : Aida Cama