1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e jashtëzakonshme në Rripin e Gazës

Carsten Kühntopp17 Korrik 2004

Presidenti palestineze nuk e pranon dorëheqjen e kryeministrit

https://p.dw.com/p/ArSh
Jaser Arafat
Jaser ArafatFotografi: AP

Jaser Arafat po përpiqet të rivërë gjendjen në zotërim. Këshilli i tij i sigurimit i vendosi gjatë natës forcat policore në Rripin e Gazës në gjendje gatishmërie të lartë. Me gjendjen e jashtëzakonshme synohet të rivendoset qetësia dhe rendi. Forcat e sigurisë janë përfocuar para së gjithash përpara ndërtesave të administratës autonome. Në udhëheqjen palestineze bëhet fjalë për gjendje kaotike. Kryeministri e thirri kabinetin në një mbledhje urgjente.

Saeb Erekat, njëri prej ministrave tha, se gjendja në Rripin e Gazës është keqësuar në mënyrë të rrezikshme. "I duhet dhënë fund mungesës së ligjit dhe kaosit. Në rast se nuk e mbajmë dot vetë përgjegjësinë, atëherë duhet t'iu hapim rrugën të tjerëve." - tha Erekat.

Më parë kishin dhënë dorëheqjen shefat e shërbimeve më të rëndësishme të sigurimit në Gazë. Siç thanë ata vetë, në shenjë proteste ndaj gjendjes kaotike dhe mungesës së reformave në administratën autonome. Por udhëheqësi palestinez Arafat nuk e pranoi dorëheqjen e tyre. Kriza në radhët e palestinezëve u shkaktua nga tre pengmarrje në harkun e dhjetë orëve në Rripin e Gazës. Autorët, motivet e tyre dhe rrethanat e sakta ishin të ndryshme.

Në rastin e parë persona të armatosur rrëmbyen shefin e policisë të Gazës dhe e mbajtën për disa orë. Ai u fajësua për korrupsion dhe për sjellje imorale. Pasi, siç thuhet, Arafati premtoi ta nxirrte përpara drejtësisë, rrëmbyesit e liruan. Edhe rrëmbimi i një oficeri tjetër palestinez përfundoi pa pasoja pas disa orësh. Këtu bëhet fjalë për vepër të policëve të sapo përjashtuar, të cilët kërkonin ripunësim. Dhe së fundi një tjetër bandë palestinezësh të armatosur rrëmbeu katër punonjës francezë të një organizate ndihme, por i la ata së shpejti të lirë. Rrëmbyesit deklaruan se donin të tërhiqnin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga vuajtja e palestinezëve nën pushtimin izraelit.

Muajt e fundit ka pasur vazhdimisht njoftime për një gjendje gjithnjë e më kaotike në territoret palestineze. Që prej shpërthimit të Intifadës në vjeshtë të vitit 2000 Izraeli ka shkatërruar shumë institucione të administratës autonome të Arafatit dhe është bashkëpërgjegjës për vakumin e tashëm të pushtetit. Si përgjigje ndaj atentateve terroriste ushtria izraelite ka shkatërruar për shembull burgje të policisë palestineze, të cilën e ka akuzuar për bashkëpunim me militantët ose në rastin më të mirë për sjellje të pavendosur ndaj tyre.

Jaser Arafat mbahet në Ramallah de facto nën arrest shtëpiak, prandaj mundësia për të ndikuar e udhëheqësit palestinez duhet të jetë e kufizuar. Por shumë palestinezë e akuzojnë Arafatin megjithatë se është kundër ristrukturimit të udhëheqjes së tij dhe se e refuzon reformën në forcat e sigurisë. Gjithashtu ai refuzon t'ia kalojë një pjesë të kompetencave kryeministrit Kurei. Jo vetëm në Rripin e Gazës, por edhe në qytete në Bregun Perëndimor të lumit Jordan thuajse nuk është më e pranishme policia palestineze dhe e shumta rregullon qarkullimin. Në vend të saj vendosin bandat e armatosura lokale.