1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja në Lindjen e Mesme dhe angazhimi eventual i Bundesverit

26 Korrik 2006

Në fokus të komenteve në shtypin e sotëm vazhdon të jetë gjendja në Lindjen e Mesme. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen e komentatorëve dhe analistëve në shtyp është diskutimi, nëse duhet ose jo të marrin pjesë ushtarët gjermanë në një trupë ndërkombëtare paqeje për Lindjen e Mesme.

https://p.dw.com/p/Arol
Helikopterë në frontin detar, Bejrut
Helikopterë në frontin detar, BejrutFotografi: AP

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" e konsideron si mision delikat angazhimin e ushtarëve gjermanë në një trupë të tillë dhe komenton: "Argumenti për pjesëmarrjen gjermane është padyshim, që e drejta e ekzistencës së Izraelit është një çështje e arësyes shtetërore gjermane. Por a presupozon kjo vërtetë, që nëse rrezikohet e drejta e ekzistencës së Izraelit ajo duhet mbrojtur edhe me dhunën e armëve? "Mandati robust" i kërkuar shpesh herë për një trupë të sigurisë do të thotë, që në rast nevoje duhet të qëllohet edhe ndaj luftëtarëve Hisbollah. Edhe më keq akoma: ç´do të ndodhë nëse trupës mbrojtëse do t´i duhet që të ndalojë aksionin hakmarrës të një komande izraelite ndaj Hisbollahëve? Një aspekt anësor është: që nisur nga detyrimi për të qenë i kujdesshëm, ushtarët e rinj gjermanë nuk duhet të vihen përballë një situate që të marrin vendime të tilla", vëren "Süddeutsche Zeitung".

Në të njëjtën linjë edhe komentatori i "Märkische Allgemeine": "Nëse do të ishte detyrë e Bundesverit, ushtrisë gjermane, që të ndalonte aksionet ushtarake të Izraelit në Liban, Gjermania s´duhet të marrë pjesë në trupën paqësore. Pas Holokaustit është e paimagjinueshme, që ushtarët gjermanë të qëllojnë ndaj hebrejve. Nëse megjithatë trupa e OKB-së do kishte detyrë vetëm të ndihmonte qeverinë libaneze për çarmatimin e Hisbollahëve, puna qëndron ndryshe. Nëse si Izraeli edhe Libani e ndoshta edhe Siria do ta pranonin Bundesverin në rajon, atëherë Berlini vështirë se do të mund t´i shmangej detyrimit. Tek e fundit Gjermania gëzon një imazh shumë të mirë tek shumë arabë, ndonëse qeveria gjermane insiston për të drejtën e ekszistencës së Izraelit", nënvizon "Märkische Oder Zeitung".


Sipas "Osthüringer Zeitung" Gjermania duhet t´u përgjigjet detyrimeve të saj, citojmë: "Nëse qeveria thotë A në nivel diplomatik dhe ashtu si parardhëset e saj ajo pohon të drejtën e ekzistencës për Izraelin në kufij të sigurtë, atëherë duhet thënë edhe B në nivelin ushtarak, kur është fjala për vendosjen e një rendi paqësor në Lindjen e Mesme të tronditur prej dhjetëvjeçarësh nga konfliktet. Pikërisht për shkak të detyrimit historik të Gjermanisë ndaj Izraelit Bundesveri s´mund të qëndrojë mënjë anë nëse OKB-ja thërret. Fakti që ushtarët e popullit autor të Holokasutit 60 vjet më pas mund të ndihmojnë për sigurimin e kufijve të Izraelit, zgjon emocione si në Gjermani edhe në Izrael. Izraeli mund të jetojë aftgjatë në paqe vetëm nëse çështja palestineze zgjidhet politikisht dhe ekonomikisht. Kush dërgon ushtarë në Lindjen e Mesme, s´mund të tërhiqet as nga kjo përgjegjësi", thekson "Osthüringer Zeitung".

Ndërsa "Offenburger Tageblatt" shkruan: "Një mision paqësor i trupave gjermane në Lindjen e Mesme është një detyrim, sepse historia e Gjermanisë naziste ka treguar, se toleranca duhet të ketë kufij. Kush shkel të drejtat e njeriut dhe do të asgjësojë popujt e tjerë, është jashtë bashkësisë së civilizuar ndërkombëtare. Një vend i tillë duhet të dënohet nga OKB-ja dhe në rastin më serioz edhe të luftohet. Një gjë e tillë ka ndodhur në Bosnje, në Kosovë, në Afganistan, në Kongo e tani duhet të ndodhë edhe në Liban. Sepse si Izraeli edhe Hisbollahët prej kohësh e kanë kapërcyer masën e tolerancës", komenton "Offenburger Tageblatt".

Duke iu referuar gjendjes në Lindjen e Mesme në përgjithësi "Kölnische Rundschau" vëren: "Paqe të qëndrueshme në rajon s´mund të ketë për aq kohë sa dukuri të tilla si zhvillimet në Rripin e Gazës apo në Liban shihen të izoluara dhe p.sh. kushtet e domosdoshme për paqen si kthimi i lartësive të Golanit të aneksuara prej Izraelit në plan ndëkrombëtar s´luajnë më asnjë rol. Kësaj nuk i kushtohet vëmendje as në iniciativën për konferencën në Romë. Për aq kohë sa qeveria e ShBA refuzon të trajtojë problemet e pazgjidhura me Sirinë dhe Iranin, komunikimi do të vazhdojë të mbizotërohet nga gjuha e dhunës. Damasku si dhe Teherani kanë mundësi të mjaftueshme që përmes luftrave sekondare ta ndezin konfliktin në Lindjen e Mesme", nënvizon "Kölnische Rundschau".