1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gara zgjedhore në Gjermani dhe gara e çiklistëve në Francë

26 Korrik 2005

Gazetat e sotme gjermane një vëmendje të posaçme i kushtojnë fushatës paraelektorale dhe koalicioneve të mundëshme pas zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/AruU
Fotografi: dpa zb

Lidhur me programin elektoral të Partisë liberale (FDP), e përditshmja Franfurter Rundshau shkruan:

"Shefi i liberalëve Gido Vestervele thotë se ata kanë paraqitur deri tani programin më të qartë. Gabim. E vërteta është: liberalët kanë paraqitur programin më radikal deri tani. Ata duan privatizimin e sistemit të sigurimeve dhe reformën e sistemit të tatime, për të ndihmuar të papunët dhe ata që fitojnë më pak. A thua zyra e tatimeve duhet që me paratë e qytetarëve ta sigurojë sistemin e shëndetësisë, pensioneve, dhe rastet e një papunësie të gjatë. Liberalët nuk duan të thonë se në ç'masë qyetarët duhet të paguajnë. Ata nuk e thonë qartë as se ku është kufiri kur qytetarët duhet të ndihmohen për një jetë njerëzore. Ndërkohë që edhe planet për lehtësime tatimore, në vlerë prej 19 miliardë eurosh, duket joserioze. Dhe atë në momentin kur duhet të kursehet".

Të njëjtës temë i referohet sot edhe General Anzajger e Bonit:

"Liberalët janë të parët që janë angazhuar për zgjedhje të reja dhe kanë paraqitur një program me tri shkallë. Programi i paraqitur dje është vazhdimësi, mirëpo programi i tyre "më shumë liberalë më shumë vende pune" dhe "më shumë liberalë më shumë arsim", kaherë nuk përputhet me realitetin. Me realitetin nuk përputhen as paralajmërimet për sistemin e tatimeve dhe agjencisë për punësim".

Ndërsa Tages Cajtung e Mynihut, më shumë vëmendje i kushton spekullimeve për koalicione pas zgjedhjeve të parakohshme, me një vështrim të posaçëm drejt partisë së re majtiste në krye me Oskar Lafonten:

"Oskar, Oskar! Kandidati kryesor i majtistëve nuk përmendet me frikë vetëm në radhët e socialdemokratëve të kandelarit Shrëder. Në qoftë se ai ua merr unionistëve një numër të madh votuesish, siç thuhet në sondazhet e fundit, letrat për koalicione duhet të përzihen edhe një herë. Kjo shihet edhe nga debatet kush me kend. I lumtuar nuk është askush. Socialdemorkatët dhe unionistët me siguri që jo, sepse kjo ndoshta do t'i detyrojë të mendojnë për një koalcion të gjërë. Liberalët dhe ekologjistët poashtu nuk janë të knaqur, për faktin se nga elementi kryesor në peshoren politike, mund të degradohen në një zero pa vlerë. Kjo gjendje i pëlqen vetëm njërit: Oskar Lafontenit. "Pleiboi politik" do vetëm të luajë dhe jo të martohet. Ndonëse nuk përjashton ndonjë mundësi bashkëpunimi me koalicionin kuq e gjelbër".

Me çështjen e koalicioneve merret sot edhe botimi gjerman i gazetës Fajnenshël Tajms, i cili botohet në Hamburg:

"As tetë javë para zgjedhjeve, socialdemokratët nuk po ia dalin të çlirohen prej kundërthënieve programore dhe taktikave rreth koalicioneve. Paralajmërimet për një "repubikë të zezë" nuk tingëolljnë aq tmerruese për shumë zgjedhës, kur merret parasyshë bllokada e Bundestagut dhe Bundesratit. Njëkohësisht, socialdemokratët po sulmohen nga e majta e Oskar Lafontenit. Të kota janë përpjekjet e deritanishme për të theksuar dallimet. Ndërkohë që janë paraqitur edhe socialdemokratë të cilët nuk përjashtojnë koalicionin me këtë parti".

Ndërsa Tages Cajtung e Berlinit thekson:

"Që prej emrimit para një jave të Partisë së Socializmit Demokratik në "Parti Majtiste", opinioni është i bindur se është bërë bashkimi i partive. Për zgjedhësit është me rëndësi që në këtë subjekt të ri është futur e tërë Partia e Socializmit Demokratik. Mirëpo është e vështirë të mendohet se Lafonten do të përkulet para kritikave të socialdemokratëve për dominimin e ish - socialistëve. Megjithatë, është kjo një linjë e cila në të ardhmen mund të sjellë deri te konflikti i brendëshëm në Bundestag dhe përçaraj e këtij subjekti politik".

Me zgjedhjet e ardhëshme merret edhe Noje Vestfalishe e Bilefeldit, por nga një perspektivë tjetër:

"Ata të cilët në shenjë proteste ndaj politikës aktuale kanë gjetur kulm mbi kokë tek partitë e djathta ekstremiste, tashti mund të gjejnë një strehë tjetër tek ekstremistët e partisë majtiste. Të dy demagogët, Gregor Gizi dhe Oskar Lafonten, e kanë paraqitur programin e tyre në formë paralajmërimi. Së pari kundër të pasurve, ku thuhet se të pasur janë të gjitha ata të cilët fitojnë më shumë se 60.000 euro në vit. Pastaj kundër të huajve, të cilët sipas tyre, gjermanëve po ua marrin vendet e punës. Ndërkohë që thonë se duhet bërë edhe nacionalizimi i ekonomisë dhe tregut. Për një koncept të këtillë ekziston një emër edhe më i shkurtë: koncepti nacional - social".

Ndërrojmë temë me të përditshmen Frankfurter Allgemeine Cajtung, e cila edhe sot i referohet garës së posa përfunduar çikliste, Tour de Franse, ku për të shtatën herë me radhë dominoi amerikani Lens Armstrong:

"Mund të përdoret çiklizimi ekstrem si një lloj burimi energjie? Kjo ide nuk mund të hudhet aq leht. Si mund të shpjegohet ndryshe shtuarja e adhurimit ndaj këtij sporti. Është ky një adhurim i cili i tejkalon të gjitha dukuritë negative, si dopingu, mashtrimet, fatkeqësitë e madje edhe vdekjen. Me siguri që askush nuk do të mund të shpjegonte shkaqet e admirimit të plotë të publikut pranë rrugës. Mund të jetë kjo një përzierje e djersëve, gjakut, guximit, dëshprimeve, teprimeve dhe mungesës së arsyes. Vetë kërkimi i një pasardhësi të yllit amerikan Lens Armstrong, do të bëjë që të mos humbet intersimi për këtë garë", konstaton kjo gazetë.