Fjalimi i Vitit të Ri i kancelares gjermane Angela Merkel | Gjermania | DW | 31.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fjalimi i Vitit të Ri i kancelares gjermane Angela Merkel

default

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

çfarë mund të arrijë njeriu brenda një viti? Shumë gjëra! Po sikur të ulemi së bashku dhe të vendosim që në vitin e ri të punojmë në të gjitha fushat edhe më mirë dhe në mënyrë më efikase?

Dikush mund të thotë tani se unë e kam të lehtë të flas kështu. Mund të thotë se unë arrita të realizoj shumë qëllime gjatë vitit 2005 dhe të pyesë se çfarë do të ndodhë me ata që nuk kanë më një vend pune apo me ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjet e tyre.

Unë i kuptoj këto pyetje dhe e di se shumë njerëz japin më shumë se ç´kanë.

Por unë guxoj t´ju bëj thirrje të gjithëve që të përpiqemi të arrijmë edhe më shumë! Jam e bindur se do të habitemi nga forca dhe energjia që kemi.

Ju kemi një ide? Nuk ka nevojë që kjo ide të jetë gjeniale, rëndësi ka që ajo të kthehet në realitet gjatë vitit 2006. Le të fillojmë! Çdo rrugë e re fillon me një hap të parë. Ju do ta shihni se sa mirë do të ndjeheni me çdo hap që do të hidhni!

Të gjithë mund ta bëjmë këtë: Në shtëpi, në familje, me fëmijët, në shkollë, në punë, me të sëmurët, me invalidët, më të huajt që jetojnë mes nesh, nëpër kisha dhe kudo.

Dhe sigurisht edhe në politikë! Kështu e filloi punën e saj qeveria e re gjermane. Qëllime të parealizueshme? Kjo nuk është mënyra jonë. Premtime që nuk mbahen dot? Boll keni pasur deri tani. Le të hedhim më mirë shumë hapa të vegjël, por në drejtimin e duhur. Kështu e filluam edhe ne rrugën tonë. Dhe qëllimi ynë është i qartë: Ta kthejmë Gjermaninë brenda 10 vitesh në vendin e parë në Evropë, sepse vetëm kështu përfiton çdo qytetar.

Ne i kemi hyrë punës që të krijojmë vende të reja pune, që të stabilizojmë financat publike, të përmirësojmë taksat dhe kushtet për investime në vend. Vendi ynë do të mund t´i përballet konkurrencës me vendet e tjera vetëm në rast se ka ide të mjaftueshme inovative. Për shkak të defiçitit që kemi në buxhetin shtetëror, qeveria e re e koalicionit të madh do të kursejë ku të mundet, por në në sektorin e arsimit, zhvillimit dhe shkencës.

Në vitin 2006 do të kemi të gjithë një shans të madh. Bota do ta kthejë vështrimin drejt Gjermanisë si përpara 16 vitesh kur u rrëzua Muri i Berlinit. Sigurisht që këto zhvillime nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, por rezultati do të jetë që miliona njerëz do ta ndjekin nëpërmjet televizionit apo duke qënë vetë pjesëmarrës Kampionatin Botëror të Futbollit!

Sigurisht që i urojmë fat skuadrës sonë kombëtare dhe besoj se kemi shanse të mira për të fituar. Skuadra jonë kombëtare e grave është ndërkohë kampione e botës dhe nuk shoh asnjë arsye përse burrat tanë nuk mund të arrijnë të njejtin sukses!

Por Kampionati Botëror i Futbollit ka që tani një fitues: Ky fitues jemi ne, njerëzit e këtij vendi, sepse ne do të festojmë me të gjithë botën një festë të madhe.

Kampionati Botëror i Futbollit do të zhvillohet nën një moto që për mendimin tim është e mrekullueshme: Bota po vjen mysafire tek miqtë e saj! Bëhuni miq! Dhe le të bëhemi të gjithë miqtë e vizitorëve tanë!

Kjo është dëshira ime më e madhe për vitin e ri: Që Gjermania të vazhdojë të jetë mike me fqinjët dhe partnerët e saj, që të jetojmë në paqe dhe liri. Evropa ka shpresa të mëdha tek Gjermania: Pa një Gjermani të të fortë nga ana sociale dhe ekonomike, nuk ka zhvillim për Evropën. Dhe pa një Evropë të fortë, edhe Gjermania do të jetë e dobët. Financat i kemi rregulluar ndërkohë gjatë samitit të fundit të BE-së. Por meqënëse Evropa duhet të bëhet edhe më e pavarur, duhet të mobilizohemi të gjithë që Kushtetuta Evropiane të vihet sa më parë në zbatim.

Por edhe vendet jashtë Evropës kanë shpresa të mëdha tek Gjermania - marrëveshjet për tregun e lirë, misionet e ushtrisë gjermane jashtë shtetit dhe reformat e OKB-së, të gjitha këto janë çështje që nuk zgjidhen dot pa vendin tonë.

Ne mendojmë edhe për katastrofat natyrore dhe njerëzit që vuajnë nga to. Unë dua t´i falenderoj të gjithë për kontributin dhe donacionet për viktimat e tsunamit. Por dua t´ju lutem që të mos i harroni edhe tsunamit e tjera, ato pak më të qetat. Si për shembull miliona njerëzit që vuajnë uri në Afrikë, viktimat e tërmetit të tmerrshëm në Pakistan dhe tragjedi të tjera në botë, që shkaktohen për shak të luftërave, migracionit apo sëmundjeve.

Të dashur bashqytetare dhe bashkëqytetarë! Të gjithë mund të arrijmë shumë gjëra. Dhe në rast se duam t´i zgjidhim problemet që kemi në shtëpinë tonë dhe mbi të gjitha problemin kryesor, papunësisë, atëherë duhet të kontribojmë edhe më shumë.

Qeveria jonë do të përpiqet ta zgjidhë sa më parë këtë problem dhe do t´ju mbështesë ku të mundet. Por nuk duhet ta harrojmë një fjalë të urtë gjermane që thotë: Puna ka nevojë për rritje dhe rritja ka nevojë për liri!

Për këtë arsye do ta luftojmë byrokracinë dhe do t´i reformojmë landet gjermane. Ne po punojmë gjithashtu për një reformim të sektorit shëndetësor dhe atij të pensionit.

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë! Unë dëshiroj që t´i realizoni të gjitha idetë që keni për veten dhe familjet tuaja. Gjermania është vendi i ideve. Por ne mund të jetojmë nga idetë tona, vetëm po i realizuam ato!

Le të fillojmë që sot!

Por më parë le ta festojmë Vitin e Ri së bashku me njerëzit që duam dhe ata që kanë nevojë për ndihmën tonë apo një fjalë të dashur.

Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, të sukseshëm dhe të bekuar 2006!

  • Data 31.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1r
  • Data 31.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1r