Fillon në Vienë konferenca triditore e përfaqësuesve të myslimanëve evropianë | Evropa | DW | 08.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fillon në Vienë konferenca triditore e përfaqësuesve të myslimanëve evropianë

Të premten pasdite në bashkinë e Vienës u hap një konferencë fetare, në të cilën marrin pjesë hoxhallarë evropianë dhe përfaqësues të tjerë të lartë të fesë myslimane

Takimi në sallën festive të bashkisë së Vienës filloi me një lutje tradicionale të ditës së premte, me fjalitë e Koranit. "Kthehuni në një shoqëri besimtarësh, që bëjnë vetëm mirë në emër të Zotit," luteshin hoxhallarët. Kjo konferencë ka si qëllim pajtimin e përbashkët, pas debatit që lindi mbi karikaturat e profetit Muhamed, pas trazirave në rrethinat e Parisit dhe mbi të gjitha pas fillimit të diskutimeve për një integrim më të suksesshëm të të huajve në vendet evropiane. Kancelari austriak Volfgang Schüssel thotë: "Ne duam integrim. Jemi krenarë, që bashkëjetesa dhe dialogu i feve funksionojnë kaq mirë. Ndoshta kjo klimë e mirë, do të kthehet në një mall eksporti austriak."


Edhe kryetari i këshillit qëndror të myslimanëve gjermanë, Axel Ajub Köhler mendon kështu: "Kjo konferencë është një kontrast i madh po të krahasohet me atë që përjetojmë ne myslimanët si politikanë apo si qytetarë në Gjermani. Ne vetëm mund të ëndërrojmë se një ditë do të kemi një situatë të tillë edhe këtu."

Köhler i kritikoi planet e reja të qeverisë gjermane, për të ashpërsuar ligjet ndaj të huajve. Ndërkohë kryebashkiaku austriak Michael Häupl është i bindur se respekti ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe është themelor, por ai thekson se principet e lirisë së shprehjes nuk duhet të ndryshojnë:

"Liria e shprehjes mund të ketë efekte fyese apo të rënda për një person. Por megjithatë ajo është një ndër vlerat më të rëndësishme që mbajnë gjallë demokracinë."


Presidenti i parlamentit austriak Anderas Khol theksoi se ligjet evropiane që duan të përmirësojnë procesin e integrimit të të huajve, duhet të përpilohen vetëm me pjesëmarrjen e barabartë të të gjitha shteteve të BE-së:

"Në Austri nuk ekziston lufta e kulturave dhe kjo është një gjë shumë e mirë."

Edhe komisionerja e BE-së për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Valdner mendon kështu:

"Këtu nuk bëhet fjalë për luftë kulturash por për një përplasje të paditurisë."

Pak çaste përpara se të fillonte konferenca e Vienës, përfaqësuesit e shiitëve deklaruan se do ta bojkotonin takimin, për shkak të ftesës `joserioze` që morrën. Shiitët përfaqësojnë rreth një të tretat e rreth 20 milionë myslimanëve që jetojnë në Evropë.

  • Data 08.04.2006
  • Autor Christian Faul
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBR
  • Data 08.04.2006
  • Autor Christian Faul
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBR