1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon në Kosovë java e Kuvendit

23 Maj 2007

Udhëheqës të Kuvendit të Kosovës, deputetë dhe përfaqësues të OSBE-së, hapën të hënën hapen fushatën "Java e Kuvendit". Fushata përmban vizita në pesë qytetet më të mëdha të Kosovës me qëllim të njoftimit të qytetarëve me punën e institucionit më të lartë të vendit

https://p.dw.com/p/ArVD
Ushtar i Bundeswehrit gjerman mbi Prizren
Ushtar i Bundeswehrit gjerman mbi PrizrenFotografi: AP


Vizita e delegacionit të Kuvendit të Kosovës filloi të hënën në Prizren, ku morrën pjesë përfaqësues të Therandës, të Sharrit, të Malishevës dhe të Rahovecit. "Kuvendi i Kosovës do ta kryejë detyrën e vet nga vota e popullit, por në bashkëpunim me miqtë tanë. Por, në momentin e duhur: as më vonë-as më herët!- kjo ishte përgjigja e kryeparlamentarit të Kosovës Kolë Berisha, për statusin e Kosovës me rastin e vizitës në Pejë, të dytës në kuadër të "Javës së Kuvendit".

Pas vizitës në një shkollë të mesme pejane dhë takimit me përfaqësues të komunave të Rajonit të Pejës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës mbajti debat me qytetarë, përgjatë të cilit u fol për ngjarjet aktualetë Kosovës dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e një pavarësie të mbikëqyrur. "Ju lutem, ne mund të flasim me vite të tëra për statusin. Por, le të merremi pak edhe me çështje ekzistenciale, ekonomia, shëndetësia, sistemi, funksionimi, arsimi, etj.etj"-bën thirrje deputeti boshnjak, Numan Baliç.

Dhe, kjo edhe u bë, kur mes shqetësimeve të qytetarëve të këtij rajoni, u ngrit edhe çështja e arsimit të lartë ku si kërkesë u paraqit hapja e një universiteti. Me një kërkesë të tillë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës ishte përballur edhe të hënën, në
Prizren.Prandaj dr.Sabri Hamiti nga Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Atlantik për dy qytetet më të mëdha të Rafshit të Dukagjinit, sjell këtë përgjigje:"Me Ligjin për Shkollimin e Lartë, të Kosovës, universitieti s'mund të formohet pa pesë fakultete të konsoliduara me gjithë kapacitetin e vet. Ju garantoj se as s'ka nevopje as s'ka fuqi, që të ndërtohen një universitet në Pejë dhe një tjetër në Prizren. Sot përsot, jo!"

Preokupim kryesor është zhvillimi ekonomik pas statusit-mendon deputeti Zef Morina: "Pavarësia nuk sjell përnjëherësh edhe mirëqënien, por është faktor kryesor për zhvillim. Se, në kuadër të asaj janë bankat të cilat ofrojnë të holla. Kështu jemi të
lidhur, si në një autostradë me një barrikadë, të cilën s'mund ta tejkalosh për të arritur në cak".

Por, në mesin e pjesëmarrësve ka të atillë që ndoshta s'do të presin atë ditë, pensionistët, të cilët me një ndihmë sociale prej 40 eurosh, nga kontributdhënës, janë shndërruar në skamnor! "Fondet e krijuara nga ju dihet se ku kanë shku. Dhe, ju e keni të qartë se Kosova s'lejon në këto momente të krijojë fonde. Unë shpresoj se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të kemi mundësi dhe hapësirë më të madhe të zgjedhim këto probleme,"-thotë deputeti, Xhevdet Neziraj, nga Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve.

Dhe kështu pothuaj pas çdo kërkesë, qoftë dëshirë apo nevojë, është bërë shprehi të thuhet se zgjidhja do të vijë pas shpalljes së pavarësisë. Shpallja e një pavarësie të afërt, me data të caktuara, pothuaj është çështje e kryer. Por, çfarë, nëse për një arsye apo për një tjetër, kjo nuk do të ndodh, pyet Dojçe Welle?

"Për të gjithë qytetarët e Kosovës me të cilët kam rënë në kontakt, kthimi i Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, pas tetë vjetësh, do të ishte si kthimi i Berlinit lindor nën sovranitetin e Rusisë. Dhe, nëse kjo nuk realizohet, gjë e cila nuk besoj se do të ndodhë, dhuna është e pashmangshme"-përgjigjet deputeti, Nimon Alimusaj.

Sipas deputetit Zef Morina, rrugës së nisur kaherë po i shihet fundi! "Kërkesa jonë është që të jeni të durueshem edhe për një kohë të shkurtë. Të mos vëmë afate e kushte, se nëse nuk bëhet në qershor do të shpërthejmë. S'guxojmë të shpërthejmë! Ne tashmë jemi në rrugë dhe siç jemi liruar nga Serbia, do ta arrimë edhe këtë. Politika e presidentit Rugova ka qënë e qartë. Ajo duhet të vazhdojë e tillë, si për pavarësinë, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik!"

Projekti "Java e Kuvendit", i mundësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, do të vazhdojë të mërkuren në Mitrovicë, përfshirë këtu edhe Skënderajn dhe Vushtrrinë. Me 28 maj 2007 do të mbahet në Gjilan, me Artanën, Vitinë, Dardanën, Ferizajn, Kaçanikun dhe me Hanin e Elezit. Por, ende nuk është e qartë në do të përfundojë me 4 qershor, në Prishtinë.