Fillimi i negociatave Turqi- BE hap historik
4 Tetor 2005Me fillimin zyrtar të negociatave me Turqinë, BE ka bërë një hap historik drejt ruajtjes së interesave të sigurisë në një rajon tepër të rëndësishëm. Aq më shumë kur dihet se Turqia, nuk ndodhet vetëm në kufirin juglindore të Natos, si në kohën e luftë së ftohtë, por luan një rol qendror në krizën e Lindjes së Mesme.
Negociatat kanë për qëllim anëtarësimin e plotë, por ky anëtarësim nuk është i garantuar. Vendimi nëse Turqia është kthyer në një shoqëri politike dhe ekonomike moderne, për anëtarësim të plotë në një BE të ndryshuar, do të merret pas shumë vjetësh. Kërkesat për ndryshime tepër të shpejta të Turqisë, do të ishin kontraproduktive dhe do të çonin drejt forcimit të forcave nacionaliste antievropiane.
Frika e evropianëve nga Turqia është e kuptueshme, po aq sa edhe frika e popullit turk nga hapat e përshpejtuar drejt Evropës. Në planin e brendshëm Turqia, duhet të tejkalojë edhe shumë pengesa. Zhvilimi ekonomik i pjesëve të ndryshme të Turqisë, mund të balancohet vetëm pas shumë vitesh. Se sa i vështirë është ky proces, e kanë të qartë të gjitha shtetet evropiane, dhe në radhë të parë Gjermania, e cila ende po përpiqet t'i tejkalojë dallimet në zhvillimin e pjesës lindore dhe perëndimore të vendit.
Mirëpo, Turqia duhet të bëjë shumë edhe në zhvillimin e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, si dhe në çështjen e armenëve dhe konfliktin me kurdët. Më shumë kompromise nga Turqia priten edhe në zgjidhjen e çështjes së Qipros së ndarë. Turqia duhet të zbatojë në jetë 35 kapituj të së drejtës së BE. Kjo do të thotë se secili vend anëtar i BE ka mundësinë që 35 herë të vendosë veto, sepse secili kapitull duhet të miratohet njëzëri.
Loja e pokerit e Austrisë me negociata, është një shenjë e asaj që mund të bëjë secili vend tjetër, gjatë këtij procesi. Rreziku i dështimit të negociatave është shumë i madh, kur dihet fakti se të gjitha vendet në fund duhet të vendosin nëse Turqia i ka plotësuar kushtet për pranim - e në disa vende për këtë çështje duhet të zhvillohet edhe referendum. Për shkak të zgjërimit tepër të shpejtë dhe pranimit të tetë vendeve lindore, BE gjendet para problemeve të mëdha me reformat. Llogaritë se për këtë shkak Turqia do të duhej të mbetet jashtë, me siguri që nuk do të ishin të ndershme.