Edhe na jemi njerëz qysh janë ata - Reportazh nga Veriu i Mitrovicës | Ballkani | DW | 21.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edhe na jemi njerëz qysh janë ata - Reportazh nga Veriu i Mitrovicës

Edhe tetë vjet pas luftës, shqiptarët e veriut të Mitrovicës jetojnë larg vatrave të veta, nga të cilat i ndan vetëm ura e lumit Ibër, ndërsa banorët e lagjes Kodra e Minatorëve, jetojnë të izoluar nga pjesa jugore

Familje refugjate nga Kosova, 1999

Familje refugjate nga Kosova, 1999

Qyteti i Mitrovicës, dikur zemra industriale e Kosovës, sot s’është tjetër veçse një peng istatusit të pazgjidhur të Kosovës. Lumi atje nuk quhet mushkëri e qytetit. Madje as ura nuk sinjifikon bashkim, por është pikë ndarëse mes popujsh. Aty ngritet muri mes shqiptarëve e serbve; edhe tetë vjet pas luftës, i egër e i pakapërcyeshëm!

Këndej Urës së Ibrit, çdo gjë është shqiptare: njerëzit, rrugët, mbishkrimet, muzika... Përderisa me të kaluar urën, të krijohet ndjenja se hyre në Serbi.

Në krye të rrokaqiellit djathtas, valon flamuri serb. Mbishkrimet në dyqane janë në serbokroatishten cirilike. Targat e makinave të parkuara me regjistrimin YU. Për të mundësuar qarkullimin matanë urës, duhet hequr targat KS. Në lagjen shqiptare në veri të Mitrovicës, nuk na lejohet hryja. Këtu mësojmë se shqiptarët e lagjes së njohur si Kodra e Minatoreve, jetojnë të izoluar nga pjesa jugore. Ata barten me autobus dy herë në ditë, dhe shpeshherë ju nënshtrohen sulmeve nga banorët serbë, të cilët kanë uzurpuar edhe pronat shqiptare, përderisa pronarët shqiptarë banojnë me qira në jug të Mitrovicës.

Ndër ta ndodhet 21 vjeçari Valon Beshiri me shokun e tij, familja e të cilëve ka pronën në veri në Lagjen e Minatorëve, në veri të Mitrovicës."…Edhe na jemi njerëz qysh janë ata. Përshembull serbët duan t’i sjellin nga Serbia në Kosovë, kurse unë qe tetë vjet paguaj 200 euro qiranë, përderisa prona më është uzurpuar. Kjo nuk është e drejtë!"-thotë 21 vjeçari Valon beshiri, familja e të cilit jetojnë si refugjatë brenda qytetit të vet. Qytet mes dy lumenjsh në veri të Kosovës, dikur, me 11.000 të punësuar në Ndërmarrjen Metalurgjike dhe në Minierën e Trepçës, njërën ndër më të mëdhatë në Evropë, Mitrovica sot është në një kolaps ekonomik.

Moshatarë të Valon Beshirit, përkundër moshës së brishtë, lënë shkollimin për të kapur rastin për punë, ndonëse janë të vetdishem se në rrethana të tjera do të ishin në fakultet.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është i vetdishëm kësaj situate, por premton ditë më të mira. "Prej përfundimit të luftës, në pjesën veriore janë strukturat paralele të instrumentuara nga qeveria e Beogradit, që kanë mbajt peng jetën e kësaj kësaj pjese të Kosovës. Por, besojmë plotësisht se aksionet e reja politike që do të behen nga Kosova dhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, do të ketë një shthurje të tyre drejtpërdrejt, dhe një integrim të qytetit"-premton presidenti Sejdiu.

Mitrovicasit e rinj si Valon Beshiri, nuk kuptojnë korridoret e errëta të politikave. Ai dhe shumë si ai, me padjallezinë e moshës se brishtë, kërkojnë vetëm atë që iu përket! "Edhe na kena qejf me studiu. Edhe neve na do zemra me qenë si dikush tjetër. Por, neve na duhet të punojmë që të mbajmë familjen…"-thotë ai.

E muzgu shtrinte krahët serish mbi Mitrovicën e ndarë në dysh. E njohur në botë për komunitete të ndara dhe dhunë ndëretnike, forcat paqeruajtëse dhe patrullat policore, mbajnë nën kontroll vijat ndarëse. "Edhe sa do të zgjasë kjo?" "Kush do të zgjidh këtë nyje apo edhe sa kohë duhet pritur, për një hap të tillë?" "A do mund të mbijetojë Mitrovica dhe banorët e saj shumëetnik, t’ia dalin të gjejnë fijen e jetës, sërish?!"

Me këto pyetje dy të rinjtë shqiptarë i kthehen luftës për ekzistence larg vatrave të veta, me të cilat i ndan vetëm Ura e Ibrit. Matanë, refreni i një kënge shqipe shkrep shkëndija shprese për një të ardhme më të mirë!

"Kurrë dy Mitrovica s’i ka pas Kosova……."

  • Data 21.05.2007
  • Autor Ajete Beqiraj
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVO
  • Data 21.05.2007
  • Autor Ajete Beqiraj
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVO
Reklamë