Diskutim mbi rrugë të reja për rindërtimin në lindje të Gjermanisë | Gjermania | DW | 06.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Diskutim mbi rrugë të reja për rindërtimin në lindje të Gjermanisë

A do të ishte zgjidhje krijimi i një zone ekonomike të liberalizuar?

Shëtitorja Kozmonautët në pjesën lindore të Berlinit

Shëtitorja "Kozmonautët" në pjesën lindore të Berlinit

Në Gjermani është ndezur një diskutim i ri nëse kanë kuptim apo jo subvencionet në shumë disa miliardëshe për rindërtimin ekonomik të lindjes së vendit pra ish RDGJ-së. Kjo transfertë e parave të shtetit deri tani nuk ka sjellë hovin e shpresuar ekonomik në lindje ndërkohë që në perëndim kursehet në sektorin social. Tani edhe brenda vetë qeverisë gjermane po diskutohen rrugë të reja për të ashtuquajturin "rindërtim i lindjes", në të cilat bëjnë pjesë propozime radikale për thjeshtime në të drejtën fiskale për ekonominë lindore.

Një koncept i ri pritet të nxjerrë nga qorrsokaku rindërtimin në lindje të Gjermanisë. Sekretari i përgjithshëm i partisë socialdemokrate Klaus Uve Beneter ka theksuar se lindja mbetet një nga preokupimet kryesore të kancelarit gjerman Shrëder. Qeveria gjermane dhe landet e reja kanë krijuar një grup pune i cili pritet të vendosë deri në vjeshtë nëse në të ardhmen do të mbështeten me prioritet rajonet në zhvillim në vend të shpërndarjes së parave në mënyrë të barabartë: "Ne kemi edhe në lindje qendra të mira shkencore të cilat duhet t'i afrojmë me qendrat përkatëse ekonomike për të arritur më pas një efekt shpërndarës. Pra duhet të largohemi nga parimi i shpërndarjes së barabartë që vlente deri më sot dhe të orientohemi drejt rrjeteve të ekonomike dhe shkencore"-thotë Beneter.

Revista informative gjermane "Der Spiegel" në numrin e saj të fundit citon deklaratat e një instance këshëllimore të ministrit për rindërtimin në lindje, Manfred Stolpe. Sipas tyre ndihmat në shuma disa miliardëshe për lindjen po e rëndojnë gjithnjë e më shumë perëndimin. Në shumë qytete në perëndim të Gjermanisë infrastruktura është vjetëruar pasi nuk ka para për rinovim. Transfertat vjetore prej 4% të produktit të brendshëm bruto nga perëndimi në lindje shkaktojnë përveç kësaj dobësi në rritjen e ekonomisë gjermane. Grupi i konsulentëve kërkon një kthesë radikale në mbështetjen financiare të lindjes. Një zëdhënës i ministrit Stolpe ka konfirmuar se për këtë kanë filluar punën me porosi të qeverisë një grup ekspertësh: "Në këtë grup pune - thotë Shtajnshke, ekzistojnë teza por nuk është paraqitur ende një projekt i përbashkët. Të gjitha do të diskutohen e më pas vlerësohen në një rreth pune."

Në rradhën e propozimeve të ekspertëve bëjnë pjesë rregulla të veçanta në të drejtën për ndërtimin, atë të punës dhe atë për mjedisin, avantazhe fiskale dhe subvencione shtetërore për pagat në sektorët e pagave të ulëta. Aprovimi për to ka ardhur edhe nga tre lande të drejtuara nga partia kristiandemokrate në opozitë. Kryeministri i landit të Saksonisë Georg Milbradt dëshiron psh të paguajë në të ardhmen shtesë mbi pagat në vend të ndihmës sociale për të papunët për të nxitur kështu punën në vend të papunësisë. Kryeministri i Saksen-Anhaltit Volfgang Bëmer u shpreh kështu në radion Deutschlandfunk: "Kemi nevojë për një kuadër ligjor më liberal në të drejtën e punës, atë të kontratave dhe fusha të tjera për të zhvilluar kështu ekonominë në mënyrë më dinamike. Ne kemi mbetur të ngujuar në një kuadër ligjor të cilin landet perëndimore gjermane e kanë hartuar në mes të viteve '70. Ndërkohë të gjithë specialistët me përvojë të administratës shtetërore na kanë thënë qysh dhjetë vjet më parë se me këtë kuadër ligjor ekonomia nuk mund të rindërtohet aq shpejt sa në rastin e landeve perëndimore në fillim të viteve '50."

Kryetari i partisë së të gjelbërve, partnere në koalicionin qeverisës, Rajnhard Bytikofer, e ka kundërshtuar propozimin për krijimin në lindje të një zone të veçantë ekonomike me tatime të ulta dhe liberalizim legjislativ:
"Kjo temë mund të ishte ndoshta e pranueshme 14 vjet më parë kur u bë ribashkimi i Gjermanisë - thotë Bytikofer - por sot do të thoshte vetëm vazhdim me mjete të tjera i mendësisë së subvencioneve. Kjo zgjidhje nuk do të ishte kompatibël në plan evropian dhe është madje në pikëpyetje vetë realizueshmëria në Gjermani. Edhe efektet e saj do të ishin tepër problematike."

Të gjelbrit i druhen ndër të tjera standarteve shumë të ulëta ekologjike për pjesën lindore të Gjermanisë. Bytikofer hodhi poshtë edhe tezën se transfertat disa miliardëshe në lindje janë shkaku kryesor për rënien ekonomike në perëndim. Për këtë sipas tij janë në rradhë të parë përgjegjëse dështimet në reformat strukturore. Ndërsa kryetari i socialdemokratëve për landin e Rinit verior dhe Vestfalisë Harald Shartau ka kërkuar që ndërmarrjet që zhvendosen nga perëndimi në lindje të mos përfitojnë më subvencione sepse kjo është sipas tij pjesë e solidaritetit ndërgjerman.

  • Data 06.04.2004
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6z
  • Data 06.04.2004
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6z