1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Delegacioni i Kosovës niset drejt Vjenës

Bekim Shehu9 Mars 2007

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga presidenti, Fatmir Sejdiu niset sot drejt Vjenës për të marrë pjesë të shtunën në takimin e fundit të nivelit të lartë politik me autoritetet e Beogradit, për zgjidhjen e statusit të Kosovës

https://p.dw.com/p/ArXp
Grupi negociator
Grupi negociatorFotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës do të zhvillojë në Vjenë takimin e fundit të nivelit të lartë politik me autoritetet e Beogradit dhe bashkësinë ndërkombëtare. Përfaqësuesit janë të bindur se në fund të procesit do të arrijnë synimin final, pavarësinë e Kosovës. Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Që nga fillimi i procesit final të zgjidhjes së statusit, udhëheqësit kryesor të forcave më të mëdha politike janë anëtar të grupit negociator të Kosovës, mekanizëm ky i cilësuar si niveli më i lartë politik në Kosovë. Me këtë unitet sipas, kryetarit të PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi, Kosova po përfaqësohet edhe në momentet finale të zgjidhjes së statusit.

Anëtari tjetër i grupit negociator të Kosovës, Veton Surroi, thotë se për të ardhur deri në këtë moment, Kosova ka kaluar shumë sfida, ndërsa, e rëndësishme sipas tij, është që të vazhdohet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, delegacioni i Kosovës, e ka pranuar dokumentin e ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari, i cili sipas tyre është bazë për krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Udhëheqësit kosovarë janë të vetëdijshëm se propozimi i Marti Ahtisarit, do të ketë vështirësi të kalojë në KS-it, duke pasur parasysh kundërshtimin e mundshëm të Rusisë, si anëtare me të drejtë vetoje në KS-it, mirëpo, ata thonë se nxjerrja e një rezolute të re për Kosovën e cila shfuqizon rezolutën 1244, do t'i jep mundësi Kosovës që të njihet si subjektivitet ndërkombëtar nga shumë shtete të botës.

Një deklarim formal për pavarësinë e Kosovës, thonë ata pritet të ndodhë në kuvendin e Kosovës, mirëpo, për këtë është thënë se do të flitet pas prezantimit të pakos së Marti Ahtisarit në KS-it të OKB-së.