1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dekretohet qeveria e re shqiptare

Deutsche Welle/Shqip7 Shtator 2005

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dekretoi qeverinë e re. Ndërkohë vazhdon lufta për Nr. 1 të Partisë socialiste në selinë rozë

https://p.dw.com/p/AqtV
Tirana
TiranaFotografi: DW

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka dekretuar sot emërimin e ministrave të ardhshëm të koalicionit qeverisës, sipas listës së dërguar dy ditë më parë nga kryeministri, Berisha. Pritet që emrat e ministrave të kabinetit Berisha të kalojnë për miratim në kuvend ashtu si dhe programi i qeverisë së re. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë ka filluar lufta për pushtet brenda PS. Humbja e zgjedhjeve të 3 korrikut, largimi i disa partive aleate, si dhe tërheqja nga drejtimi i partise i kryetarit, Fatos Nano, e kanë bërë më të zhurmshëm se kurrë selinë rozë të socialistëve në Tiranë. Sytë e politikanëve kryesorë janë drejtuar më shumë nga vendi bosh i Numrit Një të partisë, pavarësisht, se Fatos Nano me ato që ka thënë publikisht, nuk e ka saktësuar veprimin e tij si t pakthyeshem apo të kthyeshëm.

Më aktivi deri më tani është kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai jo vetëm synon kreun e partisë, por ka nisur të shpallë dhe një platformë për atë që e konsideron si "reformim i thellë i PS-së?. Për Ramën zgjedhja e kryetarit të ri të partise duhet të bëhet me parimin një anëtar- një votë, një formulë që ai e ka mbështetur fort që në kongresin e fundit të partisë.
"Drejtimi i partisë të bëhet pronë e të gjithë anëtarësisë. Këtu nuk është fjala se ka mbetur një karrike bosh dhe kë do të ulin në atë karrike. Është fjala se si dhe për ku do t'a drejtojmë PS të gjithë bashkë" thotë Rama.
Por njëri prej anëtarëve të kryesisë së PS, Petro Koçi, mendon se
zëvendësimi i vendit bosh të kryetarit kërkon një mbështetje konsensuale. Duhet nje zgjidhje e pjekur, jo një zgjidhje aventureske, emocionale dhe që krijon konflikte.
"Mendoj se mandati i kryetarit që do të zgjidhet tani duhet të jetë
plotësues dhe që të zgjidhet nga Kongresi i partise dhe më vonë të mendojmë se si mund te zbatojme parimin një anëtar- një votë, në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Plotësimi i vendit bosh të kryetarit nuk është i vetmi problem që ka
ngjallur polemika tek socialistët. Një tjetër çështje është dhe fakti nëse duhet të votbesohet tashmë e gjithë kryesia e partisë.