1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260110 Frankreich Burka Verbot

30 Janar 2010

Komisioni hetimor i Asamblesë Kombëtare franceze paraqiti të martën raportin lidhur me burkën. Në raport rekomandohet ndalimi i përdorimit të burkës, në të gjitha sektorët e shërbimeve publike

https://p.dw.com/p/LniZ
Raymond Forni, zënës i parlamentit francez dhe nje grua me burka
Raymond Forni, zënës i parlamentit francez dhe nje grua me burkaFotografi: picture-alliance / dpa

Situata duket e ngjashme me atë në Zvicër, ku u zhvillua referendumi popullor për ndalimin e minareve. 65% e francezëve janë për ndalimin absolut të përdorimit burkës, pra mbulimit të plotë të grave me ferexhe, ndonëse shumica e tyre gra me burka kanë parë vetëm në televizor. 400 deri në maksimumi 1.900 prej mbi 2.5 milionë myslimaneve që jetojnë në Francë mbajnë burka, e megjithatë sipas mendimit të parlamentarëve kjo është vetëm maja e ajsbergut. Në fokusin e hetuesve janë burrat, që ata i quajnë guru, të cilët predikojnë në prapaskenat e xhamive ndarjen e grave myslimane nga shoqëria franceze.

Pikërisht për këtë arësye për raportuesin Eric Rault nga partia konservatore UMP e presidentit Sarkozy, rekomandimi më i rëndësishëm i komisionit të tij ishte që së pari parlamenti të miratojë një rezolutë dhe më pas autoritetet lokale të kontaktojnë gratë: "Këto gra nuk ndihen mirë! Ato jo gjithmonë i mbajnë ferexhetë me dëshirë. Edhe ato dëshirojnë një zgjidhje. Një sukses do të ishte, sipas mendimit tim, vetëm atëherë nëse atyre nuk u hiqet me detyrim burka, por u hapet rruga, në mënyrë që ato të mund ta heqin vetë atë.”

Nëse mbajtëset e burkës nuk e përfillin këtë ofertë, atëherë pas zgjedhjeve lokale duhet të ketë një ligj, që të ndalojë mbajtjen e burkës në institucionet shtetërore. Presidenti i komisionit, komunisti Andre Gerin: "Po, ka pasur një propozim, që burka të ndalohet tërësisht. Por ne shumë shpejt e kuptuam, që këtë mund ta arrinim pa ndonjë vështirësi vetëm në ambjente të tilla si në automjetet e shërbimit urban, nëpër universitete dhe në dikastere. Por ne na duhet siguri ligjore. Nuk do të kishte gjë më të keqe, se sa të bësh një ligj, i cili do të anulohej prej këshillit kushtetues.”

Edhe legjislacioni evropian për të drejtat e njeriut mund të jetë kundër ndalimit të përgjithshëm të burkës. Tani kjo duhet të verifikohet. Në komision të gjithë ishin për ndalimin e saj. Një pjesë e konservatorëve – e kryesisht një kundërshtar i Sarkozy-së – deklaruan përpara disa javësh se do të paraqesin një projektligj të vetin duke e kapërcyer komisionin hetimor. Pas sensibilizimit në media edhe atje tashmë po i thërrasin arsyes: propozimi u përfshi gjithashtu në raportin e komisionit.

Gra me burka
Fotografi: AP

Sipas mendimit të shkrimtarit me orgjinë algjeriane, Mohamed Sifaoui, kjo nuk mjafton: “Pavarësisht përpjekjeve intensive rezultati është i pakënaqshëm. Unë jam i zhgënjyer. Si mundet që republika të merret me një plaçkë duke mos trajtuar thelbin e problemit: ankorimin e ideologjive islamiste në vendin tonë. Në këtë drejtim duhet të hetohet.”

Tani vendi do të ketë kohë – të paktën deri pas zgjedhjeve lokale në mars. Se çfarë do të zbatohet më pas nga raporti i Komisionit Anketimit, kjo është një çështje tjetër. Para pesë vjetësh një raport i ngjashëm u harrua pa u ndier nëpër sirtarë.

Autor: Johannes Duchrow / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani