1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënim i detyrueshëm por jo kërkim i shkaqeve

Peter Philipp26 Korrik 2005

Vrasësi i Van Gogh dënohet me burgim të përjetshëm

https://p.dw.com/p/ArDj
Mohammed Bouyeri, vrasësi i rregjizorit hollandez Theo van Gogh
Mohammed Bouyeri, vrasësi i rregjizorit hollandez Theo van GoghFotografi: dpa / Benelux-Press

Më 2 nëntor 2004, 27-vjeçari Mohamed Boujeri sulmoi regjizorin Theo van Gogh të njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj islamizmit, e qëlloi atë disa herë me armë dhe së fundi i preu fytin me thikë. Sipas Boujerit kjo ishte hakmarrja për kritikën fyese të van Gogh-ut ndaj islamizmit, kryesisht nëpërmjet filmit të polemizuar "Submission". Van Gogh kritikonte në atë film shtypjen e gruas në fenë islame duke përdorur shumë mjete pornografike. Sot u shpall vendimi për Boujerin i cili nuk kishte pranuar të kishte avokat mbrojtës gjatë proçesit. Gjykatësit vendosën për të burgimin e përjetshëm.

Po të mbajmë parasysh egërsinë e veçantë të aktit dhe rëndësinë e pasojave të tij proçesi kundër Mohamed Boujerit i zhvilluar brenda dy ditësh, nuk zgjati shumë. Megjithatë ai nuk ishte një proçes i shkurtër. Edhe dënimi i dhënë nga gjykata në Amsterdam nuk të habit thuajse fare dhe është madje i detyruar nga rrethanat: burgim i përjetshëm për 27-vjeçarin Boujeri. Ai vrau regjizorin e filmave Theo van Gogh, kërcënoi deputetin Ajan Hirsi Ali dhe rrezikoi jetën e policëve. Biri i emigrantëve marokenë kontribuoi në përfundimin e shpejtë të proçesit: ai refuzoi avokatin mbrojtës, pranoi krimin dhe deklaroi se do ta përsëriste atë.

Çfarë i mbetet të bëjë një shteti ligjor përveçse t'i japë atij dënimin e vetëm të parashikuar për një rast të tillë? Burgimi i përjetshëm nuk është madje as një dënim i butë pasi autori i krimit kishte vepruar në mënyrë të tillë që të qëllohej për vdekje nga policët. Ai donte të hynte në histori si martir. Këmbimi i vendit në parajsë me një institut hollandez riedukimi me siguri nuk është ajo çfarë kishte shpresuar.

Në atdhe prindërit e tij ashtu si në shumicën e vendeve myslimane për një krim të tillë do të ishin dënuar me vdekje nëse nuk marrim parasysh për një çast motivet e vrasjes. Dhe ndryshimi i madh qëndron pikërisht këtu: Boujeri në shumë shtete myslimane do të ishte konsideruar hero. Viktima e tij Theo van Gogh kishte poshtëruar në mënyrën më të ulët Kuranin, Islamizmin, myslimanët e madje edhe Profetin.

Në pjesën më të madhe të shteteve myslimane vrasësi i van Gogh-ut do të kishte shpëtuar me rrethana lehtësuese por në Amsterdam këto as që u përmendën. Jo se rrethanat e buta do të ishin me vend në një rast të tillë, por do të kishte mirë që në gjyq të ishte shpenzuar ca më tepër kohë për të diskutuar rreth motiveve dhe rrethanave të vrasjes. Të ishte diskutuar p.sh. pyetja nëse blasfemitë apo ofendimi i pakicave fetare dhe ndenjave të tyre janë vërtet të mbrojtura me ligj. A mundet dhe a duhet lejuar që ato të jenë pjesë e lirisë artisktike p.sh. të një regjizori filmash dhe kështu një film si "Submission" të prodhohet dhe të shfaqet pa pasoja dhe kufizime?

Nëse Boujeri do të kishte pranuar të mbrohej ky diskutim me siguri do të ishte hapur në gjyq dhe do të kishte shtrënguar të mendonte edhe politikën e cila pas vrasjes e vuri shpejt mënjanë këtë temë për të kaluar në rendin e ditës.

Politikanët dhe me siguri edhe shumë qytetarë u gëzuan që shoqëria multi-kulturore e Hollandës nuk i bëri vend një "lufte të hapur kulturash". Dhe u kalua në rendin e ditës: vrasësi ishte kapur, e kishte pranuar krimin. Përse duheshin kërkuar motivet? Jeta e përditshme në rrugët e Amsterdamit dhe Hagës duket se e përligj këtë sjellje.

Por është gjithashtu e vërtetë se vrasja e Theo van Gogh-ut ka nxjerrë në dritë një numër mangësish të cilat duhen eliminuar. Jo vetëm në Hollandë por në të gjitha shtetet europiane me pakica myslimane. Sado i justifikuar të jetë vendimi i Amsterdamit gjykimi i tij nuk është përgjigja ndaj këtyre problemeve. Kjo përgjigje nuk mund të jepet nga gjykatat por duhet të vijë nga politika dhe shoqëria.