Condoleezza Rice takohet në Berlin me Frank-Walter Steinmeier
18 Janar 2007Këtë rradhë Condoleezza Rice zhvilloi biseda të veçanta me kryeministrin izraelit Olmert dhe presidentin palestinez Abaz. Në takimin e saj të ardhshëm, ajo do t´i ulë të dyja palët në një tryezë të përbashkët.
Por më parë, kuarteti i Lindjes së Afërt do të takohet në Uashington, tha ministrja e jashtme amerikane në Berlin, madje që në fillim të shkurtit: "Do të zgjasë disa javë, deri sa të mundësohet takimi mes Olmertit dhe Abazit. Pra nuk do të ishte keq sikur Kuarteti i Lindjes së Afërt të takohet më parë. Ka shumë ide se si mund të rifreskohet procesi i paqes. Por ne nuk dëshirojmë një koncert me propozime të ndryshme, por një përpjekje të përbashkët dhe të koordinuar të bashkësisë ndërkombëtare - dhe pikërisht këtu mund të kontribojë Kuarteti i Lindjes së Afërt."
Sipas ministrit të jashtëm gjerman Steinmeier, situata në Lindjen e Afërt ka ndryshuar: "Ne kemi fillime bisedimesh mes kryeministrit Olmert dhe presidentit Abaz. Dhe Kuarteti mund të luajë një rol të rëndësishëm në një situatë të tillë, ku partitë në konflikt në rajon i zgjedhin temat mbi të cilat do të flitet në të ardhmen."
Steinmeier u përpoq gjatë muajve të fundit, që ta ringjallte Kuartetin, një propozim, që edhe kancelarja ia kish bërë më parë edhe presidentit amerikan Bush në Uashington.
"Do të ishte një keqkuptim po të mendonim se Kuarteti është një qëllim në vetvete apo një krizë formale. Sigurisht që nuk është kështu. Kuarteti nuk mund t´i detyrojë përpjekjet për paqe, kur në rajon vetë nuk ka asnjë përpjekje të tillë."
Por sidoqoftë duket se qeveria amerikane po përpiqet me më shumë angazhim se më parë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit të Lindjes së Afërt.