1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cili do të jetë pasardhësi i Shvarc-Shiling në Bosnje-Hercegovinë?

Kristofer Plas27 Shkurt 2007

Bashkësia ndërkombëtare do që të vazhdojë të jetë e pranishme përmes "përfaqësuesit të lartë" në Bosnje-Hercegovinë

https://p.dw.com/p/ArY8
Pamje nga Sarajeva
Pamje nga SarajevaFotografi: DW

Mbikqyrësi i parashikuar në marrëveshjen e paqes e vitit 1995 të nënshkruar në Dejton do të vazhdojë misionin e tij duke mos u shkëputur në mesin e vitit siç ishte planifikuar. Këtë e vendosi në Bruksel forumi drejtues ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes së paqes. Aktualisht këtë post e mban ish-ministri gjerman i postës Kristian Shvarc-Shiling, i cili e dorëzon detyrën në fund të qershorit.

Dy ditë me radhë u konsultua në Bruksel i ashtuquajturi këshilli për zbatimin e marrëveshjes së paqes për Bonsje-Hercegovinën. Ky forum përbëhet nga shtetet pjesëmarrëse në hartimin e marrëveshjes së paqes, ndër to BE-ja, ShBA dhe Rusia.

Pas këtyre konsultimeve u bë e qartë, se bashkësia ndërkombëtare do të tregojë vazhdimësinë në rajonin e Ballkanit. Zyra e të ashtuquajturit "përfaqësuesi i lartë" nuk do të mbyllet sipas planit më 30 qershor të këtij viti. Tani më shumë synohet, që mandati të shtyhet edhe me një vit.

Por e qartë është gjithashtu, që ai që e mban postin aktualisht, gjermani Kristian Shvarc-Shiling në qershor të këtij viti dorëzon detyrën. Përpara pak javësh politikani kristiandemokrat 76 vjeçar as që donte ta çonte nëpër mend, por duket se tani e ka kuptuar, që nuk po gjen më mbështetjen e mjaftueshme prej bashkësisë ndërkombëtare. Të martën më 27 shkurt në Bruksel Shvarc-Shiling theksoi: "Mandati im është deri më 30 qershor dhe unë kam konstatuar, se nga ana ime nuk dëshiroj shtyrje të mandatit."

Amerikanët dhe britanikët së fundi kritikuan hapur, që në Bosnje nën Shvarc-Shiling punët nuk po ecin më si duhet përpara. Tensionet janë shtuar. Eksperti i Ballkanit Shvarc-Shiling nuk ka mundur t´ia dalë me konceptin e tij. Ai synonte që në krijesën shtetërore në Bosnje-Hercegovinë të mbështeste politikanët vendas më shumë si këshilltar. Ndërkohë që parardhësit e tij duke shfrytëzuar të gjitha të drejtat u kanë dhënë udhëzime të prera autoritare vendasve.

Shvarc-Shiling pranoi vet tani, se në rajon punët nuk po shkojnë aq mirë: "Unë gjithmonë kam thënë, për aq kohë sa nuk ka një reformë kushtetuese, është jashtëzakonisht e vështirë që ta udhëheqësh këtë vend drejt pavarësisë në Evropë. Kjo ndodh sepse të duhet që të marrësh edhe vendime, të cilat pështjellohen përmes pikëpamjeve etnike, institucioneve që janë të ngatërruara me njëri-tjetrin, si përshembull entitetet plus kantonet dhe kompetencat e shtetit të përbashkët, të gjitha këto janë të pasqaruara, ndaj është shumë e vështirë."

Rusia siç duket ka qenë kundër shtyrjes së mandatit me një vit dhe do që ta diskutojë këtë çështje edhe një herë në Këshillin e Sigurimit. BE-ja sipas planeve fillestare duhet që ta zëvendësojë përfaqësuesin e lartë me një mision evropian. Pasardhësi i Shvarc-Shiling që duhet gjetur tani ka mundësi që të mbulojë të dyja këto poste në të ardhmen.