Burgu i femrave në Kosovë | Shoqëria & Kultura | DW | 17.12.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Burgu i femrave në Kosovë

Në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, ndërkohë vuajnë dënimin 40 femra të burgosura. Gati 50 % prej tyre janë të dënuara për vrasje.

Burgu i Lipjanit

Burgu i Lipjanit

Dymbëdhjetë objekte banimi në një hapësirë 17 hektarëshe në pjesën veriore të qytetit të Lipjanit, njihen si Qendra Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Kosovë, e themeluar në vitin 1978. Katër prej këtyre objekteve të ndërtuara nga materiali i fortë, me fasadë dhe tjegulla të kuqe që shtrihen në një distancë tridhjetë metërshe, janë pavione të banuara me të burgosura, të dënuara dhe të paraburgosura.

„Në këtë qendër janë 40 femra të burgosura, të dënuara dhe të paraburgosura. Arsyet më të shpeshta, mbi pesëdhjete për qind, janë për vrasje", thotë drejtori Bikliqi, përderisa të burgosurat rrëfejnë për jetën brënda kësaj qëndre.

Më mungojnë fëmijët...

„Koha ime shkon prej të hënës deri të premten këtu, në rrobaqepësi. Të shtunen vizitë, të dielën në pavion. Më mungojnë të gjithë njerëzit e mi e të dy fëmijët më mungojnë më së shumti", thotë A.Sh. nga Peja, e dënuar me gjashtë vjet.

„Zgjohem në ora shtatë. Në tetë shkoj në punë, në kuzhinë deri në ora dy. Pastaj kthehem në pavion, lexoj diçka, dëgjoj muzikë, rri me shoqe. Herë herë është pak monotoni dhe mërzitem…Më së tepërmi për dy fëmijët e mi!", rrëfen S.B., të cilës megjithëse i është shkatërruar martesa, shpreson të kthejë kujdestarinë mbi fëmijët. "Martesën e kam prish, por fëmijet shpresoj t´i kthejë, se meqë nuk kam kurorë me bashkëshortin, përgjegjësia për ta më takon mua".

Nuk ma kanë bërë asnjë të padrejtë!

Frauengefängnis in Albanien

Se çfarë është trajtimi ndaj tyre dhe sa respektohen të drejtat e të burgosurave brënda kësaj qendre të njohur si burgu i vetëm për femra në Kosovë, flasin vet ato.

„Respektohen shumë mirë. Nuk ma kanë bërë asnjë të padrejtë. Nuk frigohem të deklaroj…", thotë S.B.

„Sipas meje respektohen shumë të drejtat tona. Në secilën mënyrë mundohen me na i ofru të gjitha, me na i plotësu të gjitha nevojat", shton A.Sh.

Një trajtim i posaçëm i kushtohet shtatzënave, për të cilat është një shtëpi e veçantë jashtë pavioneve të burgut, në të cilën janë nën përkujdesje të vazhdueshme mjeksore.

„Këtu nëna qëndron deri në moshën 18-të muajshe të fëmijës. E nëse nuk e arrin lirimin, atëherë fëmija kalon në organin e kujdestarisë apo në një organizatë tjetër që kujdeset për të", shpjegon Bikliqi.

Brënda kësaj qëndre punojnë 184 persona, staf civil dhe në uniformë. Lidhur me pohimet se këtu ka abuzime seksuale, drejtori Bikliqi përgjegjet:

„Kjo nuk ka të bëjë me realitetin, sepse pavioni i femrave mbikëqyret nga stafi i gjinisë femërore dhe gjinia mashkullore nuk ka qasje në këtë pavion. E nëse ndodh një gjë e tillë, masat ndaj atij personi do të jenë shumë të rrepta, në përputhje me ligjin për shkak se rrezikohet integriteti dhe imazhi i qendrës. Por, kjo nuk mund të ndodh, tash as asnjëherë".

Vendi për pendim

Frauengefängnis in Albanien

Se krahas vrasjes dhe vuajtjes se dënimit ka vend edhe për pendesë, dëshmon porosia e tyre e njëzëshme: „Jo kurrë s´do ta përsërisja! Ai është sekond, megjithëse shumë i keq…normal që njeriu pendohet…", përgjegjet S.B.

Ndërsa, porosia e A.Sh. për femrat që gjenden në situata të tilla është: „Që mos të gabojnë kurrë! Ju kisha thanë me pas durim sa ma shumë. Me njoftu në polici apo kudo tjetër, por mos me vepru vet. Mos me ra në ndikim të tjerëve. Tek unë kanë ndiku shumë persona prandaj jam këtu".

Në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan gjenden 40 femra të burgosura, të dënuara dhe të paraburgosura si dhe 45 të mitur, të cilëve ju është shqiptuar masa edukative, paraburgimi dhe burgimi. Arsyet më të shpeshta të ndeshjes së femrave me ligjin janë vrasjet, ndërsa pjesa dërmuese e të miturve akuzohen për vjedhje të lehta e të renda dhe një numër i vogël, për vrasje. Por, edhepse në Kosovë dënimi kapital me 40 vjet është rregulluar me ligj, këtu dënimet për të mitur nuk kanë kaluar mbi dhjetë vjet, ndërkohë që dënimet më të larta për femra sillen prej 10 deri në 25 vjet.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/L6WI
  • Data 17.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/L6WI