1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bllokohet procesi i decentralizimit

Bekim Shehu13 Shtator 2005

Në Kosovë dështoi edhe një përpjekje e ndërkombëtarëve për të bindur përfaqësuesit e serbëve të përfshihen në procesin e decentralizimit

https://p.dw.com/p/AqtP
Pamje nga Kosova
Pamje nga Kosova

Çështja e decentralizimit në Kosovë dhe përfshirja e përfaqësuesve të serbëve në këtë proces, serish preokupon takimet e niveleve të larta politike në vend. Shefi i UNNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, sërish ka takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në përpjekje për t'i binduar ata që të përfshihen në procesin e decentralizimit, mirëpo edhe ky takim mund të cilësohet i dështuar. Kjo për faktin që pala serbe kërkon që dy pilot-njësitë komunale, Graçanica dhe Parteshi të banuara më shumicë serbe të dominohen nga serbët, ndërkohë që plani i qeverisë së Kosovës me zgjerimin e zonave kadastrale nuk e parasheh këtë.

Është shumë e thjeshtë. Pilot-projekti për Gracanicën dhe Parteshin, nuk mund të zbatohet nëse ne nuk jemi të përfshirë në të. Kjo do të thotë, se ne nuk do të përfshihemi në këto pilot-komuna, nëse përcaktohet struktura e qytetarëve 50 me 50 %. Nëse do të mbetet kështu, atëherë edhe në Graçanicë dhe Partesh, realisht shqiptarët do të jenë faktor dominues gjë që për palen serbe kjo është tërësisht e papranueshme, tha Oliver Ivanoviq. Kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, ndërkaq, njoftohet t'u ketë thënë përfaqësuesve serb në takim, se Plani "B" i qeverisë së Kosovës për decentralizimin, vazhdon të jetë bazë për diskutim dhe se nuk do të ketë plan tjetër. Të njëjtin qëndrim mban edhe qeveria e Kosovës dhe këtë e konfirmoi pas një mbledhjeje, zëvëndëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj.
Sidoqoftë, kërkesat e përfaqësuesve serb të Kosovës që në dy vendbanimet, Graçanicë dhe Partesh, palë dominuese të jenë qytetarët serb, do të vazhdojnë të diskutohen edhe më tej nga strukturat politike në vend. Përfaqësuesit e serbëve do të takojnë sërish kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi dhe Ministrin e Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, në përpjekje për të gjetur një kompromis për këtë ëështje i vetmja shans që do t'i inkurajonte serbët e Kosovës që tu kthehen në institucioneve të vendit.