Bilanc mbresëlënës i partisë qeverisëse turke AKP | Politika | DW | 03.11.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Bilanc mbresëlënës i partisë qeverisëse turke AKP

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur që prej dekadash, që një parti të ketë ketë në parlament shumicën dërrmuese prej dy të tretave. Ajo qeveris e vetme dhe sfiduesja nuk duket gjëkundi. Kryeministri Tayyip Erdogan, kryetar i kësaj partie me rrënjë të qarta islame, ka përfunduar një shkollë fetare dhe as që e mohon të kaluarën e tij islame, fondamentaliste, por pretendon të jetë larguar nga ajo vijë:

Erdogan:

"Islamizmi është fe, ndërsa ne jemi parti politike dhe drejtimi i partisë sonë është konservator, demokratik."

Mbi të gjitha partia është e vegjëlisë. Është e para herë që në historinë 80-vjeçare të Turqisë nuk qeveris elita e vjetër shtetërore e përbërë nga ushtarakë, juristë dhe qemalistë, por provinca anadollake. Vegjëlia, madje disa thonë, populli ka mbërritur në Ankara. Dhe ky popull nga provinca e Anadollit ka kërkesat e veta:

Studente:

"Unë dua të kem të drejtën të shkoj për të studiuar në universitet me shami koke dhe me manton time dhe dua që familja ime dhe të gjithë të tjerët të ushqehen mirë."

Pra baza kërkon bukë dhe shami koke, pasi ferexheja është ende e ndaluar në shkollat, universitetet, administratën dhe në institucionet turke. Rregullisht shkaktohet skandal kur në ceremoni zyrtare shfaqet shamia e kokës. Atëherë ka kritikë nga ushtarakët, presidenti i shtetit, mbrojtësit e trashëgimisë së Ataturkut; si për shembull nga kjo grua:

Qemaliste:

"Futja e shamisë së kokës si simbol në hapësirën shtetërore përbën një sulm ndaj republikës sonë laike. Kjo është një përpjekje për të dëmtuar laicizmin si themelin e republikës."

Megjithatë, matur me vepra qeveria e Erdoganit me siguri që nuk mund të akuzohet për fanatizëm islam. Përkundrazi ajo po bën gjithçka për ta shtyrë vendin e madh drejt Perëndimit. Është hequr dënimi me vdekje, është lejuar gjuha kurde, është zgjeruar liria e mendimit, është nisur një fushatë mostolerimi ndaj torturës së përhapur dhe së fundi është kufizuar edhe pushteti i ushtrarakëve. Për një vit qeveria ka bërë më shumë sesa paraardhëset e saj për dekada.

Por më e rëndësishme për turkun e zakonshëm është rrugëdalja nga kriza më e keqe ekonomike që prej luftës botërore dhe me të vërtetë lira turke nuk ka enë kurrë më e qëndrueshme se ç'është sot. Ekonomia po rritet fuqishëm dhe edhe tregtarët e vegjël të Stambollit që e kanë zakon të ankohen e pranojnë:

Tregtar i vogël:

"Besoj se po ecim përpara. Qeveria po përpiqet sinqerisht. Ne tregtarët e vegjël as që jemi të pasur, por jam optimist: ajo po bën diçka."

Megjithatë dështim kanë pasur përpjekjet e saj për të zgjidhur konfliktin e Qipros, për të integruar organizatën guerilase PKK në shoqërinë turke dhe për të zhdukur korrupsionin. Nga kryeministri Erdogan nuk mund të merret shembull: që vajza e tij të mund të mbajë shami koke, ai e ka dërguar për studime në SHBA-ës. Shpenzimet i ka një mik i tij tregtar.


  • Data 03.11.2003
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwA
  • Data 03.11.2003
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwA