1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berluskoni numëron ditët si kryeministër i Italisë

Klaus Dahmann12 Prill 2006

Edhe pse Silvio Berluskoni nuk do ende të pranoj rezultatin e zgjedhjeve - ditët e tij si kryeministër po i afrohen fundit: nga mesi i majit Romano Prodi do të krijoj një kabinet të ri qeveritar. Fundin e epokës Berluskoni e komenton Klaus Dahman

https://p.dw.com/p/ArLr
Romano Prodi dhe Silvio Berluskoni
Romano Prodi dhe Silvio BerluskoniFotografi: AP

Për burrin më të pasur të Italisë nuk duhet derdhur lot: Silvio Berluskoni ka keqpërdorur postin e tij, ka miratuar ligje për t'iu shmangur drejtësisë, gjithnjë kur i është dashur për bizneset e tij të dyshimta.

Me sukses: për njëfarë kohe kundër tij ishin ngritur disa procedura penale, ndër të tjera për korrupcion dhe financim ilegal të partisë. Dy herë ai është dënuar me burgim nga instanca e parë por pas parashtrimit të ankesave është shpallur sërish i pafajshëm. Njëherë përshembull ai pat arritur që të nxjerr një ligj i cili i lejonte atij që një proces gjyqësor ta kalonte në një gjykatë tjetër e cila duhej pastaj të fillonte punën nga e para. Dhe në këtë mënyrë, ai fitonte kohë që të vjetëroheshin veprat penale. Ai po ashtu pat ndryshuar kodin penal në atë mënyrë, që falsifikimi i bilancit financiar të shihej vetëm si shkelje e rendit dhe të gjobitej me një shumë të vogël të hollash. Apo ai ju garantoi imunitet juridik pesë personave në Itali, në mesin e tyre edhe vetvetes.

Kush kishte mendim tjetër vërshohej shumë shpejt me të sharat e shumta të Berluskonit. Dhe kur bëhej fjalë për ndonjë gazetar të Perandorisë së tij mediale, ai e pushonte atë pa një pa dy nga puna. Mënyra se si e luftonte ai pluralizmin e të menduarit për t'i vendosur veten dhe klanin e tij në qendër të të gjitha veprimeve politike dhe e shpiente vendin drejt një katastrofe ekonomike - të gjitha këto të kujtojnë më shumë në despotët e Evropës Lindore dhe Juglindore sesa në një burrështetas të botës perëndimore.

Nuk është çudi, që marrdhëniet e Italisë me Gjermaninë dhe vendet tjera evropiane gjatë kohës sa Berluskoni ishte në pushtet u ftohën shumë. Për skandale verbale ai ishte i njohur edhe jashtë vendit: nuk harrohet sulmi kundër europarlamnetarit gjerman Martin Shulc të cilit sipas Berluskonit do t'i shkonte mirë roli si mbikqyrës i një kampi përqëndrimi në një film nazist.

Po edhe kësaj i erdhi fundi. Tani Romano Prodi duhet të përkujdeset personalisht që me përfundimit e epokës së Berluskonit të shfuqizoj edje ligjet e miratuara për nevojat e Berluskonit. Por shumë më e vështirë do të jetë ndërprerja e hovit të katastrofës ekonomike të cilën e trashëgon nga Berluskoni. Alenca e qendrës së majtë duhet të jetë e vendosur dhe unike përndryshe nuk do të arrij të përbush me sukses këto detyra.